Posta e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë koordinohen për thellimin e bashkëpunimit
Kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, ka pritur në takim një delegacion nga Tirana të kryesuar nga Administratori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj.
Takimi u fokusua në fuqizimin e bashkëpunimit strategjik dhe identifikimin e fushave me potencial të lartë zhvillimor, duke përfshirë shkëmbimin e ekspertizës, zhvillimin e projekteve të integruara, shërbimet financiare dhe platformat e e-commerce.
Kryeshefja ekzekutive, Nora Rraci, gjatë bisedës, theksoi se Posta e Kosovës ka konsoliduar procese, ka rritur cilësinë e shërbimeve dhe ka fuqizuar kapacitetet operacionale, duke zgjeruar prezencën me zyra postare dhe operacione në tërë vendin. “Bashkëpunimi me Postën Shqiptare, në kuadër të strategjisë dhe mbi bazën e komplementaritetit, është një mundësi për të avancuar këto arritje, për të zhvilluar shërbime të reja dhe për të sjellë vlerë të drejtpërdrejtë për qytetarët, duke e pozicionuar Postën e Kosovës si një institucion modern dhe të besueshëm”, ka thënë ajo.
Administratori i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, ka thënë se për të është kënaqësi të thellojnë bashkëpunimin me Postën e Kosovës në një fazë të re dhe më të avancuar. “Synimi ynë është të zhvillojmë projekte te përbashkëta që e rrisin cilësinë e shërbimeve për qytetarët në të dy vendet. Së bashku, mund të krijojmë standarde të reja në tregun postar dhe atë të e-commerce”, ka thënë Xhafaj.
Në përmbyllje të takimit, delegacionet shkëmbyen dhurata simbolike si shenjë respekti dhe vlerësimi të bashkëpunimit të vazhdueshëm.



