Evropa si politikë e estetizuar: lufta e UÇK-së dhe e ardhmja gjeopolitike e Kosovës

28 tetor 2026 | 15:44

Arben Hoxha

Vetëm pasi Donald Trump-i nisi afrimin politik me Vladimir Putinin dhe sinjalizoi gatishmërinë për ta trajtuar përfundimin e luftës në Ukrainë përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me Moskën, udhëheqësit evropianë, pas një periudhe të gjatë hezitimi për t’u përfshirë në bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus, filluan të kërkonin rivendosjen e kanaleve të komunikimit me të. Ky zhvillim nxjerr në pah një paradoks themelor të politikës së jashtme evropiane: Bashkimi Evropian synon të jetë një aktor përcaktues në arkitekturën e sigurisë së kontinentit, por aftësia e tij për të ndikuar në vendimmarrjen strategjike mbetet e kushtëzuar nga raportet e forcës ndërmjet aktorëve që zotërojnë kapacitetet vendimtare ushtarake, ekonomike dhe gjeopolitike.

Problemi, pra, nuk qëndron vetëm te fakti se Evropa u përjashtua ose rrezikon të përjashtohet nga një proces i mundshëm negociator për Ukrainën. Problemi ka të bëjë me dallimin ndërmjet dëshirës për të qenë pjesë e rendit ndërkombëtar dhe aftësisë reale për ta përcaktuar atë. Në politikën ndërkombëtare, pjesëmarrja në tryezën e negociatave nuk është domosdoshmërisht shprehje e pushtetit. Ajo mund të jetë edhe pasojë e një varësie strategjike, e një nevoje për legjitimim diplomatik ose e përpjekjes për të ruajtur pamjen e subjektivitetit politik në kushtet kur vendimet thelbësore merren diku tjetër.

Pikërisht në këtë pikë, sjellja e Bashkimit Evropian mund të lexohet përmes një analogjie me kritikën që Henry James-i zhvillon në romanin Portreti i një zonje, të botuar për herë të parë më 1881. Në këtë vepër, James-i vë në skenë përplasjen ndërmjet idealizmit, dëshirës për autonomi individuale dhe një shoqërie evropiane të strukturuar nga hierarkitë, konvencionet dhe format e sofistikuara të dominimit. Tematika e romanit përqendrohet te etika e zgjedhjes, duke vënë përballë njëri-tjetrit idealin amerikan të vetëmbështetjes dhe sofistikimin e shoqërisë evropiane, përfshirë format e saj të manipulimit. Përpjekja e Isabelës, një amerikane e ardhur në Evropë, për të gjetur lirinë e çon drejt martesës me Gilbert Osmondin, një evropian, duke zbuluar se si pasuria dhe rafinimi mund ta shtrembërojnë vullnetin dhe vizionin e individit.

Isabel Arçer-i mishëron dëshirën për të jetuar në mënyrë autonome, për ta ushtruar lirinë si mundësi reale zgjedhjeje dhe për të mos e reduktuar jetën në përmbushjen e pritshmërive shoqërore. Në anën tjetër, Gilbert Osmond-i përfaqëson një formë të rafinuar të dominimit, në të cilën estetizmi, shija dhe eleganca shndërrohen në instrumente kontrolli. Ai nuk e trajton tjetrin si subjekt autonom, por si objekt që mund të integrohet në një kompozim të projektuar sipas vullnetit të tij. Kështu, ajo që duket si qytetërim dhe përsosje e formave shoqërore mund të fshehë një marrëdhënie thellësisht asimetrike pushteti. Përmes personazheve dhe marrëdhënieve të tyre, romani ekspozon mënyrën se si rafinimi kulturor mund të bashkëjetojë me varfërinë morale, si eleganca mund të shërbejë për të maskuar interesat egoiste dhe si format e jashtme të lirisë mund ta fshehin realitetin e nënshtrimit.

Në roman, James-i e portretizon Evropën si një muze traditash të kalbura, ku personazhe si anëtarët e familjes Touçet kapen pas hierarkive të vjetruara, mes pronave që po shkërmoqen. Energjia e gjallë e vizitorëve nga Amerika e nxjerr në pah këtë inerci, duke sugjeruar se paaftësia e Evropës për të evoluar mund të bëhet burim tragjedie.

Duke e përdorur romanin e Henry James-it si analogji interpretuese, dhe jo si provë historike, mund të thuhet se Evropa e ka ndërtuar identitetin e saj politik mbi paqen, të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe zgjidhjen institucionale të konflikteve. Këto parime nuk janë thjesht dekorative. Megjithatë, estetizimi i kategorive që përbëjnë identitetin politik evropian e ka shndërruar vetë politikën evropiane në një formë përfaqësimi, në të cilën rëndësi merr ruajtja e pamjes së ndikimit, ndërsa dobësohet aftësia për të prodhuar rezultate konkrete. Kjo ndodh kur përfaqësimi zë vendin e veprimit dhe kur pjesëmarrja simbolike në proceset vendimmarrëse paraqitet si e barasvlershme me pushtetin real për të ndikuar në rezultatet e tyre.

Këtu shfaqet paradoksi: për ta mbrojtur ekzistencën e vet, Kosova duhet të mbështetet në një rend të përcaktuar nga etosi i politikës së estetizuar, i cili, siç duket, nuk është gjithmonë në gjendje të garantojë që interesat e Ukrainës apo të Kosovës, për shembull, të kenë përparësi ndaj interesave të fuqive të mëdha.

Në kontekstin e estetizimit të politikës, problemi i Kosovës qëndron te rreziku që e drejta, legjitimiteti historik dhe institucionet të mos mbështeten nga kapacitetet politike të një rendi që formalisht ka marrë përsipër përgjegjësinë për mbrojtjen e tyre. Në kushtet e zgjerimit të ndikimit të traditës realiste në politikën ndërkombëtare, ekziston rreziku që Kosova të trajtohet si pjesë e një ekuilibri më të gjerë, pra si element i një konfigurimi strategjik që duhet stabilizuar ose rinegociuar. Realizmi politik na kujton se rendi ndërkombëtar nuk funksionon si një rend i brendshëm kushtetues, në të cilin ekziston një autoritet qendror që garanton zbatimin e rregullave. Në këtë mjedis, shtetet mbeten të detyruara të mbështeten te kapacitetet e tyre, te aleancat dhe te aftësia për të ndikuar në llogaritjet strategjike të aktorëve të tjerë.

Në një kontekst të tillë të marrëdhënieve ndërkombëtare, çështja vendimtare nuk është vetëm nëse Kosova ka të drejtë në qëndrimin e saj kundër vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së dhe ndaj vetë UÇK-së, të cilën ajo – në verdiktin e vet gjykuese – e karakterizon si «ndërmarrje të organizuar kriminale». Çështja thelbësore është nëse Kosova zotëron mekanizma të mjaftueshëm politikë dhe institucionalë për të penguar që të drejtat e saj të bëhen objekt pazaresh ndërmjet fuqive të mëdha.

Pyetja e menjëhershme dhe legjitime është: çfarë mund të pritet, nga njëra anë, prej mungesës së vullnetit politik të institucioneve shtetërore të Kosovës – tashmë të shprehura – për të vepruar në mbrojtje të UÇK-së në Hagë dhe, nga ana tjetër, prej vendimmarrjes së një Bashkimi Evropian të karakterizuar nga politika e estetizuar? Cili do të jetë fati jo vetëm i së drejtës morale dhe historike të luftës së UÇK-së në proceset gjyqësore në Hagë, por edhe i vetë ekzistencës së shtetësisë së Kosovës në të ardhmen? Si mund të mbrohet legjitimiteti historik i luftës dhe të forcohet shtetësia pa u shkëputur nga aleancat strategjike?

Për Kosovën, përtej kujtesës historike dhe diplomacisë, kjo dilemë lidhet me fatin e ekzistencës së saj si subjekt sovran në një botë ku rendi ndërkombëtar është larg së qenit i sigurt dhe ku e ardhmja e shteteve të vogla varet, në masë të konsiderueshme, nga aftësia e tyre për të mos u reduktuar në objekte të historisë së shkruar nga të tjerët.

Nëse Henry James-i na mëson se eleganca e formave mund ta fshehë dominimin, filozofia politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare na kujtojnë se legjitimiteti pa kapacitete mbrojtëse rrezikon të mbetet i pambrojtur, ndërsa fuqia pa legjitimitet prodhon një rend të paqëndrueshëm.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar…