‘E kemi me zemër, por nuk po festohet si duhet’
Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare.
Qytetarët e Kosovës po festojnë këtë festë, duke kujtuar me krenari të kaluarën e shumë brezave. Ata janë me emocion, ndonjëherë edhe me lot në sy, pasi e duan Shqipërinë dhe flamurin. Disa nga ata kanë udhëtuar sot nga qytete të ndryshme drejt Prishtinës, por në sheshet e kryeqytetit nuk kanë asnjë organizim nga institucionet qendrore apo lokale.
Ndoshta edhe për shkak të motit, por qytetarë të paktë që kishin dalë për të festuar shprehen zhgënjim të madh për mos organizimin e asnjë aktiviteti.
Qytetari Sali Fetahaj u shpreh për KosovaPress, se shqetësimi më i madh për mos organizimin dhe atmosferën festive janë të hollat.
“ Ditë e mirë është por po dihet se çka po na shqetëson të gjithëve. Po ishte dashur të ketë më shumë atmosferë në qytet mirëpo po dihet se çka është tash, ne nuk mundemi me përmirësuar sot, aty po shpresojmë që vitin tjetër nuk na pret ky vit, kështu shpresojmë me sukses më të mirë. Unë në qytet kam ardhur për herë të parë sot, unë vijë shumë shpesh por për herë të parë kam ardhur tash por si e kam par në TV shqetësimi është shkaktar, janë krejt të hollat, qytetarët ankohen për çdo ditë“, tha ai.
Mungesa e atmosferë festive e ka penguar edhe Zymer Ademin.
“Kam dal vetëm për këtë flamur të shëtitëm, nuk paska asgjë dhe po kthehem në shtëpi. E dua sepse kemi derdhur gjake për të. … Nuk ka asgjë. O bac nuk ke për çfarë të flasësh më sepse po shikohet me sy, marrë është prej këtyre që po rrinë në karrige dhe po i marrin nga 3000-4000 euro, e fukaraja pensioneri me 200 euro që kam punuar 42 vite, e ata aty e kanë nxehtë kollaj të flasin”, u shpreh ai.
Shukri Retkoceri u shpreh se flamuri kombëtar është simboli më i madh i shqiptarëve, sepse përfaqëson lirinë, pavarësinë dhe unitetin tonë. Ai tha se mbrëmë ka ndjerë një emocion të veçantë kur pa policinë e Nju Jorkut, duke festuar Ditën e Flamurit me flamuj kuqezi.
“Flamuri kombëtar është simbol i kombit, simbolizon lirinë dhe pavarësinë, përgjithësi të kombit shqiptar, simbol i kombit shqiptar, është flamuri kuq e zi, flamuri me shqiponjë. Shiko jo emocion por mbrëmë e kam ndjerë një kënaqësi të madhe kur policia e Neë Yourk-kut kur kanë festuar festën e flamurit me flamuj kuq e zi, flamuj me shqiponjë të them të drejtën emocion, sytë me lot më janë mbushur nga gëzimi dhe nga kënaqësia që më të vërtetë Amerika, bota e civilizuar kombin shqiptar e duan me përjashtim armikut tonë shekullor i Serbisë dhe që ne nuk na intereson për Serbinë”, theksoi ai.



