Numri i telefonit që pretendohet se është personal i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, është shpërndarë publikisht në rrjetet sociale, së bashku me një thirrje drejtuar qytetarëve që t’i shkruajnë ministres dhe t’i kërkojnë dorëheqjen.
“Arlinda nuk iu drejtua qeverisë”: Gërvallës i shpërndahet numri i telefonit pas deklaratës skandaloze
Këtë veprim e kanë ndërmarrë anëtarët e PSD-së, Nol Nushi dhe Teutë Rrusta. Numrin e telefonit të Gërvallës e ka shpërndarë në Facebook edhe gazetari Lirim Mehmetaj.
“Qiky o numri i Donika Gervalles! Ajo na ftoi me i shkru, prandaj une po ju ftoj me ia kerku doreheqjen!”, ka shkruar Nushi në Facebook.
Duke e marrë si pikënisje deklaratën e Gërvallës se viktima duhej t’i drejtohej Qeverisë për ndihmë, ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta kontaktojnë drejtpërdrejt ministren, por kësaj radhe për t’i kërkuar dorëheqjen.
Ministrja deklaroi mbrëmë se viktima u ishte drejtuar institucioneve të drejtësisë, por nuk kishte marrë mbrojtjen e kërkuar, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
“Fatkeqësisht ajo nuk iu drejtua Qeverisë”, deklaroi Gërvalla, duke shtuar se, po t’i drejtohej Qeverisë, “ndoshta” do të kishte pasur angazhim, duke respektuar rendin kushtetues.
Kjo deklaratë shkaktoi reagime të ashpra, pasi Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje pikërisht nga institucionet që kishin përgjegjësi ligjore për ta mbrojtur.
Para se të vritej më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, 49-vjeçarja kishte paralajmëruar institucionet e drejtësisë për rrezikun që i kanosej. Megjithatë, ajo u vra, ndërsa i dyshuari për vrasjen është kunati i saj.
Deklarata e Gërvallës u kritikua edhe nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion, e cila e akuzoi ministren se po e zhvendoste përgjegjësinë nga institucionet shtetërore te viktima.
Çka thotë strategjia e miratuar nga vet Qeveria dhe pse vet ajo e lë përgjegjëse Gërvallën
Faqja 52 e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022–2026 përcakton përgjegjësi të qarta për Zyrën e Koordinatores Nacionale, funksion që aktualisht e ushtron ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Këto përgjegjësi nuk kufizohen vetëm te hartimi i ligjeve. Ato përfshijnë monitorimin e zbatimit të strategjisë, mbledhjen e të dhënave, identifikimin e mangësive institucionale dhe paralajmërimin për probleme përpara se situata të bëhet kritike.
Në faqen 52, dokumenti identifikon pesë funksione të monitorimit:
Të sigurojë se po arrihen qëllimet e strategjisë.
Të monitorojë aktivitetet dhe burimet e investuara.
Të verifikojë nëse zbatimi po ecën sipas planit.
Të paralajmërojë institucionet përgjegjëse për problemet dhe ngecjet, përpara se situata të bëhet kritike.
Të sugjerojë veprime korrigjuese ose rishikimin e strategjisë.
Pikërisht pika e katërt është veçanërisht domethënëse për debatin e ngritur pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Kush e ka përgjegjësinë e monitorimit?
Faqja 51 e strategjisë e përcakton shprehimisht Ministrinë e Drejtësisë dhe Zyrën e Koordinatores Nacionale si përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të dokumentit.
Ndërsa në faqen 52 thuhet:
“Përgjegjësia primare për hartimin e këtij raporti është përcaktuar të jetë e Zyrës së Koordinatores Nacionale për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.”
Kjo zyrë duhet të mbledhë rregullisht të dhëna nga institucionet përgjegjëse, t’i analizojë dhe të hartojë raporte monitorimi
Strategjia parashikon raportim çdo gjashtë muaj dhe në fund të vitit, duke përfshirë identifikimin e pengesave dhe rekomandimet për eliminimin e tyre.
Ndërkohë janë tetë gra të vrara këtë vit dhe Gërvalla nuk ka mar përgjegjësi por ka deklaruar se Arlinda nuk iu drejtua qeverisë.



