PROTESTA të dhunshme në Greqi | Fermerët tentojnë të përmbysin furgonin e policisë
Në Greqi fermerët kanë nisur që prej ditës së djeshme bllokimin e akseve rrugore kombëtare në shenjë proteste për vonesat që janë krijuar në dhënien e subvencioneve të BE pas një skandali korrupsioni.
Në rajonin e Thesalisë, përleshjet shpërthyen kur fermerët bllokuan një autostradë Athinë-Selanik, duke kërkuar kompensime për subvencionet e vonuara të BE-së dhe duke denoncuar korrupsionin.
Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa disa protestues u përpoqën të kalonin nëpër korsi dhe të përmbysnin furgonin e policisë.
Vonesat në pagesa vijnë mes hetimeve për një skandal në të cilin disa fermerë dyshohet se kanë falsifikuar pronësinë e tokës dhe të bagëtive për të marrë subvencione bujqësore të BE-së.
Autoritetet greke kanë nisur hetime të ndara dhe parlamenti po heton agjencinë qeveritare OPEKEPE, e cila shpërndan rreth 2.5 miliardë euro ndihma të BE-së çdo vit për qindra mijëra fermerë.
Qeveria, e cila ka premtuar transparencë, ka pranuar se kësti i parë i subvencioneve të BE-së është më i ulët se vitin e kaluar dhe se mbi 40,000 aplikime të fermerëve janë nën inspektim.
Si pasojë e kësaj situate kujtojmë se sot aksi rrugor Kakavijë-Janinë është bllokuar plotësisht nga ora 11:00 deri në 17:00 (ora shqiptare), duke ndërprerë qarkullimin për të gjitha automjetet, përveç rasteve emergjente shëndetësore.



