Ja kur pritet të merret vendimi final për liderët e UÇK-së në Hagë
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, ka bërë me dije se deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt 2026.
Pas kësaj, siç ai ka thënë se trupi gjykues do ta mbyllë çështjen dhe do të hyjë në fazën e shqyrtimit për të arritur një aktgjykim.
“Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditëve nga mbyllja e çështjes. Kur rrethanat kërkojnë kohë shtesë, është e mundur një zgjatje edhe për 60 ditë të tjera”, ka thënë Doyle.
Liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ndodhen në paraburgim në Hagë nga viti 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Këto akuza, ata i kanë mohuar kategorikisht.



