Zëvendësministrja e LV-së thotë se kosovarët kurrë s’kanë pasur më shumë para sesa sot
Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka thënë se qytetarët e Kosovës s’kanë pasur “kurrë më shumë para” sesa sot.
Ajo ka thënë mbrëmë në “Pressing” në “T7” se çdo narracion tjetër është i pasaktë dhe se pavarësisht çmimeve, “numrat” flasin për “rritje” të mirëqenies.
“Ju po merrni disa produkte të cilat juve po ju konvenojnë për narracionin që po doni me e shtruar. Por fakt është që qytetari i Kosovës kurrë ma shumë pare s’ka pasë. Sot, qytetari i Kosovës ka pare më shumë se që ka pas para 10 viteve. Është shumë fakt kjo”, ka thënë ajo.
Burim Ramadani ka reaguar menjëherë: “Qysh?! Ndal veç pak. Ju lutem, qytetarë, këqyreni”.
Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë madje se shumë qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë, tani po kthehen në vend, për shkak të progresit, që sipas saj është bërë me qeverinë e LV-së.
“Ne kemi një numër të madh të njerëzve që po rikthehen në Kosovë. E para, kemi një gjeneratë të pensionistëve të Zvicrës dhe Gjermanisë që janë duke u rikthyer… E dyta, kemi një numër të madh të profesionistëve që çdo ditë po kthehen”, ka thënë ajo.
Gashi ka thënë se është “në rregull” me lëvizjen e qytetarëve që e lënë vendin.
“Kanë qenë 178 mijë veta që e kanë lënë Kosovën në 2015-tën”, ka thënë ajo.



