Shefi i NATO ngre alarmin: Rusia, Kina dhe Korea e Veriut po përgatiten për sulm ndaj Europës
“Rusia po punon ngushtë me Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin për të sfiduar shoqëritë tona dhe për të shkatërruar rregullat globale”, paralajmëroi sot kreu i NATO-s, Mark Rutte, në hapjen e takimit të ministrave të jashtëm të Aleancës, që po zhvillohet në Bruksel, përcjell INA.
Ai shtoi se Rusia “vazhdon të testojë aftësitë tona parandaluese” dhe se Aleanca përballet me “rreziqe reale dhe afatgjata”.
Rutte theksoi se veprimet e Moskës – përfshirë shkeljen e hapësirës ajrore me avionë dhe dronë, sabotimet dhe dërgimin e anijeve spiune – janë “të pamatura dhe të rrezikshme”.
Kreu i NATO-s bëri thirrje që vendet anëtare të rrisin investimet në mbrojtje dhe të ndajnë përgjegjësitë në mënyrë të barabartë. Ai nënvizoi se mbështetja për Ukrainën është më e nevojshme se kurrë, sidomos me afrimin e dimrit dhe vazhdimin e sulmeve ruse.
Pas mbërritjes në Bruksel, Rutte u shpreh për shtypin se NATO duhet të sigurojë që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm – si në frontin e luftës, ashtu edhe në tryezën e negociatave të ardhshme. Më tej, ai shtoi se vazhdimi i furnizimit me armë dhe zbatimi i sanksioneve ekonomike efektive mbeten mënyra më e fuqishme për të ushtruar presion mbi Moskën.(INA)



