Valon Prebreza betohet si kryetar i ri i Fushë-Kosovës
04 dhjetor 2025
| 17:03
Kryetari i sapozgjedhur i Fushë-Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Prebreza, ka dhënë betimin para Kuvendit Komunal, duke marrë zyrtarisht detyrën e të parit të komunës.
Në deklarimin e tij publik pas betimit, Prebreza është shprehur se posti i kryetarit e obligon të shërbejë për çdo qytetar pa dallim dhe theksoi se mandatin e tij do ta udhëheqë me transparencë, ndershmëri dhe përkushtim.
“Sot u betova para Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës, për të marrë zyrtarisht mandatin e Kryetarit të Komunës. Detyra zyrtare, më obligon që t’i shërbejë secilit qytetar pa asnjë dallim. Unë zotohem se do të punoj me transparencë, ndershmëri, përkushtim dhe do të jem pranë të gjithëve. Faleminderit për besimin tuaj, për mbështetjen dhe së bashku do të bëjmë shumë punë!”, ka shkruar ai në “Facebook”.



