Banesat e përbashkëta të strehimit
George Orwell
Banesat e përbashkëta të strehimit, nga të cilat ka disa qindra në Londër, janë strehimore nate të autorizuara posaçërisht nga LSKP.[1] Ato janë për njerëzit që nuk mund të përballojnë strehim të rregullt. Në fakt, janë hotele jashtëzakonisht të lira. Është e vështirë të vlerësohet popullsia e shtëpive të strehimit, e cila ndryshon vazhdimisht, por ajo shkon gjithmonë në dhjetëra mijëra, dhe në muajt e dimrit ndoshta i afrohet shifrës pesëdhjetë mijë. Duke pasur parasysh që strehojnë kaq shumë njerëz dhe se shumica e tyre janë në një gjendje jashtëzakonisht të keqe, shtëpitë e përbashkëta të strehimit nuk marrin vëmendjen që meritojnë.
Për ta gjykuar vlerën e legjislacionit për këtë temë, duhet kuptuar se si është jeta në një banesë të përbashkët. Banesa mesatare e banimit (dikur quhej “fjetore”,) përbëhet nga disa konvikte dhe një kuzhinë, gjithmonë e nëndheshme, e cila shërben edhe si dhomë ndenjjeje. Kushtet në këto vende, veçanërisht në lagjet jugore si Southwark ose Bermondsey, janë të neveritshme.
Konviktet janë strofuj të qelbur, të mbushur me çdo gjë dhe me deri në njëqind burra, me krevate shumë më të ulëta se ato në një burg të zakonshëm në Londër. Normalisht, këta shtretër nuk janë shumë të gjatë dhe të gjerë, kanë dyshekë të fortë dhe jastëkë cilindrikë si bllok druri; ndonjëherë, në banesat më të lira, nuk ka fare jastëk. Mbulesat e krevatit përbëhen nga dy çarçafë ngjyrë purpur, që duhet të ndërrohen një herë në javë por, në fakt, në shumë raste, s’ndërrohen as një herë në muaj, dhe një kuvertë pambuku; në dimër mund të ketë batanije, por asnjëherë nuk janë të mjaftueshme.
Shtretërit janë me parazitë, dhe kuzhinat plot me buburreca ose brumbuj të zinj. Nuk ka banja, natyrisht, dhe nuk ka hapësirë ku të kesh privatësi. Këto janë kushtet normale dhe të pranuara në të gjitha banesat e përbashkëta. Tarifat e paguara për këtë lloj strehimi ndryshojnë nga koha e qëndrimit e llogaritur me ditë dhe net. Duhet shtuar se, sado e ulët të duken tarifat, këto banesa sjellin afërsisht 40 paund fitim neto në javë për pronarin e saj.
Përveç banesave të pista të strehimit, janë edhe disa si Banesat Rowton dhe Bujtinat e Ushtrisë, që janë të pastra dhe rregullta. Për fat të keq, të gjitha këto vende i krijojnë këto përparësi me anë të një disipline kaq të rreptë dhe të lodhshme sa të qëndrosh te to të duket sikur je në burg. Në Londër (çuditërisht është më mirë në disa qytete të tjera) këto banesa janë vende ku ke liri, por jo një shtrat të mirë. Gjëja më e çuditshme e në lidhje me mjerimin dhe parehatinë e banesave të përbashkëta të strehimit është se ato janë në vende që i nënshtrohen inspektimit të vazhdueshëm nga organet përgjegjëse.
Kur dikush sheh për herë të parë shpellën e errët, të prapambetur të një kuzhine në këto banesa, ajo duket sikur i përket fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë që në njëfarë mënyre nuk u ka rënë në sy reformatorëve; është befasuese të zbulosh se ato sundohen nga një sërë rregullash (qëllimisht) jashtëzakonisht tiranike. Sipas rregullores së Aktit të Strehimit, praktikisht çdo gjë është kundër ligjit në një banesë të përbashkët strehimi. Bixhozi, dehja, apo edhe futja e pijeve, sharjet, pështymja në dysheme, mbajtja e kafshëve të zbutura, grindjet – me pak fjalë, e gjithë jeta shoqërore e këtyre vendeve është e ndaluar. Natyrisht, ligji rëndom shkelet, por disa nga rregullat janë të zbatueshme dhe ato ilustrojnë padobishmërinë e tmerrshme të këtij lloj legjislacioni.
Për të marrë një shembull: disa kohë më parë organi mbikëqyrës u shqetësua për afërsinë e shtretërve dhe vendosi që duhet të jenë të paktën një metër larg njëri-tjetrit. Ky është lloji i ligjit që është i zbatueshëm dhe shtretërit janë zhvendosur siç duhet. Tani, për një banor në një konvikt tashmë të mbipopulluar s’ka rëndësi sa larg njëri-tjetrit janë shtretërit; kjo ka rëndësi për pronarin, të ardhurat e të cilit varen nga hapësira e dyshemesë. Rezultati i vetëm real i këtij ligji, pra, ishte një rritje e përgjithshme e çmimit të shtretërve. Vini re se megjithëse hapësira midis shtretërve është e rregulluar me ligj, asgjë nuk ka të bëjë me vetë shtretërit – asgjë, për shembull, me gjendjen e tyre. Kujdestarët e shtëpisë mund të të bëjnë të paguash për një shtrat më pak të mirë se një grumbull kashte dhe s’ka ligj që i ndalon.
Një shembull tjetër i rregulloreve të strehimit. Nga gati të gjitha banesat e strehimit, gratë janë rreptësishtë të përjashtuara; ka disa banesa posaçërisht për gratë, një numër shumë i vogël për të ndikuar në gjendjen e përgjithshme – të cilën si burrat edhe gratë e pranojnë. Si pasojë e kësaj çdo burrë i pastrehë që jeton rregullisht në një banesë strehimi është krejtësisht i shkëputur nga shoqëria femërore – në të vërtetë, ka raste kur burri dhe gruaja ndahen për shkak të pamundësisë për të gjetur strehim në të njëjtën banesë. Sidoqoftë, disa nga banesat më të lira zakonisht bastisen nga çiftet e rrugëve të cilët pushtojnë kuzhinën të paftuar dhe mbajnë shërbesa të gjata fetare. Banorët nuk i pëlqejnë këto festa dobësuese, por s’kanë fuqi t’i nxjerrin jashtë. A mund të imagjinohet që gjëra të tilla të tolerohen në një hotel? E, megjithatë, një banesë të përbashkët strehimi është thjesht një hotel ku paguhet më pak. Kjo lloj tiranie e vogël, në fakt, mund të mbrohet vetëm me teorinë se një njeri shumë i varfër për të jetuar në një banesë të përbashkët, humb disa nga të drejtat e tij si qytetar.
S’mund të mos kesh ndjesinë se kjo teori qëndron pas këtyre rregullave. Të gjitha janë në natyrën e legjislacionit ndërhyrës – pra ndërhyjnë, por jo për të mirën e banorëve. Theksi i tyre është te higjiena dhe morali, dhe çështja e rehatisë i lihet pronarit të banesës, i cili, natyrisht, ose e shmang ose e zgjidh në frymën e bamirësisë së organizuar. Vlen të theksohen përmirësimet që realisht mund të bëhen me anë të legjislacionit. Për sa i përket pastërtisë, asnjë ligj s’do ta vërë kurrë në zbatim, dhe në çdo rast është një çështje e vogël. Por kushtet e të fjeturit, gjë që është e rëndësishme, mund të arrihet të jenë të një standardi të mirë.
Banesat e përbashkëta të strehimit janë vende ku dikush paguan për të fjetur, dhe shumica e tyre nuk e përmbushin qëllimin e tyre thelbësor, sepse askush s’mund të flejë mirë në një konvikt të tejmbushur mbi një shtrat të fortë sa tullat. Organi mbikëqyrës do të bënte një shërbim të jashtëzakonshëm nëse do t’i detyronte kujdestarët e shtëpive të ndanin konviktet e tyre në kabina dhe, para së gjithash, të siguronin shtretër të rehatshëm; për shembull, shtretërit po aq të mirë sa ato në godinat e burgjeve në Londër. Dhe s’ka kuptim ndarja e banesave në “vetëm burra” ose “vetëm gra”, sikur burrat dhe gratë të ishin natrium dhe ujë dhe duhet të mbahen të ndara nga frika e një shpërthimi; banesat duhet të licencohen për të dyja gjinitë, siç janë në disa qytete provinciale. Dhe qiramarrësit duhet të mbrohen me ligj kundër mashtrimeve të ndryshme që pronarët dhe menaxherët tani janë në gjendje t’u bëjnë. Duke pasur parasysh këto kushte, këto banesa do t’u shërbenin qëllimit të tyre, i cili është qëllim i rëndësishëm, shumë më i mirë sesa ajo që ofrojnë tani. Në fund të fundit, dhjetëra mijëra burra të papunë dhe pjesërisht të punësuar nuk kanë asnjë vend tjetër ku mund të jetojnë. Është absurde që ata të detyrohen të zgjedhin, siç bëjnë tani, midis një stalle derrash dhe një burgu higjienik.
New Statesman, 3 shtator 1932
Përktheu nga anglishtja: Granit Zela.
Marrë nga numri 25 i revistës “Akademia” i cili do të dalë nga shtypi javën tjetër.
[1] Ligji për Strehimin e Klasave Shoqërore të Punës (1851) u dha bashkive dhe famullive të kishave fuqinë për ta mbikëqyrur shëndetin publik në lidhje me “shtëpitë e përbashkëta të strehimit” për njerëzit e varfër dhe migrues.



