Revolta e Syzifit: roman i dhimbjes, qëndresës dhe së vërtetës

24 prill 2026 | 10:14

Recension i romanit “Revolta e Syzifit” nga Dr. Sc. Salihe Salihu

Libri “Revolta e Syzifit” është një përshkrim dokumentar, në të cilin, me mjeshtëri artistike, autori Bardhyl Mahmuti i shpalos plagët e hapura të tragjedisë sonë kombëtare. Me personazhin kryesor, Syzifin e revoltuar, autori depërton në shpirtin e tij të plagosur rëndë dhe manifeston dhimbjen e thellë, të cilën e transferon në emocione të fuqishme te lexuesi dhe ia rikthen atij kujtesën e tragjedisë sonë kombëtare.
Që në simbolikën e kopertinës, lexuesi e parandjen se përmbajtja e librit është e lidhur me identitetin shqiptar, të përballur nëpër zjarre, me shpirt të përvëluar e me barrën e gurit të rëndë mbi supe.
Në ecje nëpër zjarr e me barrën e hirit të trupave të familjarëve të tij të shkrumbëzuar, kryeheroi Syzifi vazhdon betejën e dyfishtë: në njërën anë, si gardian i shtëpisë-kremator, ku u masakruan 53 njerëz, në mesin e tyre 26 fëmijë, dhe, në anën tjetër, ai kërkon drejtësi ndërkombëtare në emër të viktimave.
Autori, si letrar e politolog, pasqyron me përjetim të thellë jo vetëm tragjedinë që kishte ndodhur në Poklek, për lexuesin e thjeshtë, e cila ishte një ndër mbi 400 masakrat gjenocidale mbi civilët shqiptarë, që forcat ushtarake, me urdhër të qeverisë serbe, i kryen, por i dokumenton me referenca të njëpasnjëshme edhe para ambasadorëve të huaj në Konferencën Shkencore. Në mënyrë të durueshme e me respekt për viktimat, autori parashtron argumente të kryerjes së gjenocidit edhe në pjesë tjera të Kosovës, duke paraqitur fakte se veprat gjenocidale kishin ndodhur para intervenimit humanitar të NATO-s. Të gjitha masakrat ishin në funksion të politikës çnjerëzore serbe, që zbatonte programin gjenocidal me metodën e “higjienës etnike”, të përdorur gjatë dy shekujve për krijimin e Serbisë hyjnore e të pastër. Djegia e trupave të viktimave ishte synimi i kryesve të krimit për të humbur gjurmët e veprimeve gjenocidale. Synimi i tyre dështoi në Poklek, meqë Syzifi dhe shokët e tij vunë në rrezik edhe jetën e tyre për të mbledhur hirin e trupave të djegur dhe për t’i mbrojtur, që të paktën të varroseshin e të preheshin në varre, në tokën e vendit të tyre. Hiri dhe copat e eshtrave të viktimave, si dëshmi e shkatërrimit të kufomave të qenieve shqiptare, janë evidenca të qarta para gjithë botës për aktet gjenocidale në Kosovë, që ndodhën që nga fillimi i shkurtit 1998 deri në përfundim të luftës.
Në dokumentim të mëtejshëm, autori na risjell kujtimin për masakrën e Reçakut, të 45 civilëve, me njerëz me koka të prera e sy të nxjerrë, dhe tërheq paralelizëm mes gjenocidit ndaj hebrenjve dhe shqiptarëve, që karakterizohen me tipare të ngjashme, me trupa të krematizuar e deportime të dhunshme me trena të stërmbushur me njerëz, që dëboheshin për të vetmen arsye, sepse u përkitnin etnive hebreje e shqiptare. E përbashkëta thelbësore e gjenocidit nazist dhe gjenocidit serb ishte shkatërrimi i hebrenjve dhe shqiptarëve.
Autori është i papajtueshëm dhe në kundërshtim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për qëndrime kundërthënëse ndaj veprave tjera gjenocidale në mes rastit të Kosovës, Ruandës e Bosnjës, meqë, paradoksalisht, nuk janë trajtuar njëjtë. Vlerësimet kontradiktore për dhunimet seksuale masive gjatë luftës, ndonëse, si në Kosovë, ishin ngjarje të njëjta në Bosnjë e Ruandë, bënë që kryeprokurorja Carla de Ponte, në rastin e Ruandës, t’i sanksiononte si krime gjenocidale, kurse për Bosnjën e Kosovën t’i konsideronte si krime lufte.
Më tej, autori, me përshkrimin e ngjarjeve tmerruese të të mbijetuarve, e tërheq lexuesin edhe më thellë në ndjesinë e tragjedisë, që të përfytyrojë, të ndëgjojë bërtimat e fëmijëve, grave e pleqve dhe flakën e zjarrit gjatë kremimit të trupave të tyre. Në mes të kësaj ndjesie tronditëse, lexuesi e gjen figurën e kryeheroit të pamposhtur, Syzifit, që përballet çdo ditë me dhimbjen, por qëndron fuqishëm dhe i palëkundur, duke thirrur drejtësinë ndërkombëtare që të mos i heshtë krimet monstruoze. Syzifi, përkundër plagëve të shpirtit të masakruar të tij, ruan fuqinë mbinjerëzore në shërbim të humanizmit, që të ndriçojë vërtetësinë për aktet gjenocidale që kryen serbët.
Syzifi, si kryefamiljar që ka mbetur i vetëm, çdo ditë rikthehet në kujtimet e të dashurve të tij dhe, si hieroglife nëpër muret e shtëpisë-kremator, i shfaqet amaneti i fundit i nënës Leme: “të mos mbetemi pa varre”. Këtë amanet Syzifi, me sakrificë të pashoqe, arriti ta përmbushte, duke shpëtuar hirin dhe kockat e shkrumbuara dhe, me një arkëmort, i varrosi pas luftës.
Syzifi, me shpirt të djegur si prushi, është tejet i revoltuar për fshehjen e së vërtetës për qëllime politike të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Për Syzifin, fshehja e së vërtetës është rivrasje e viktimave që presin drejtësinë ndërkombëtare. Syzifi vazhdon ta thërrasë drejtësinë ndërkombëtare, që, përmes shtëpisë-kremator dhe masakrave anëmbanë Kosovës, të japë verdiktin ndaj kryesve të gjenocidit dhe të përcjellë mesazhin që kurrë të mos lejohet të kultivohet urrejtja ndaj njerëzve dhe të mos përsëriten tragjedi askund.
Romani i dyzuar me emocione të fuqishme e me fuqi mbinjerëzore të Syzifit sjell para lexuesit tragjedinë tonë dhe shndërrohet në një libër faktografie para drejtësisë ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës njofton opinionin publik mbi rezultatet e…