Strategjia për delegjitimimin e UÇK-së dhe provokimin e përplasjes qytetare
Shkruan: Hisen Berisha
Mossjellja dhe mosmiratimi në Kuvend i Ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës nuk është as rastësi dhe as paaftësi procedurale.
Ky është një veprim politik me qëllim të qartë, shtyrjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së drejt vetëgjyqësisë, për ta përdorur më pas ketë akt, si argument kundër vetë luftës çlirimtare.
Ky skenar nuk qëndron në ajër. Ai ka aktorë konkretë dhe metoda të identifikueshme.
Eksponentë projugosllavë, që tashmë janë vetëdeklaruar dhe idenitifikuar is të tillë, të cilët janë shndërruar në kreatura të mirëfillta provokimi, përmes ekspozitave nëpër sheshe, shkrimeve dhe botimeve autoriale, si dhe deklaratave të sinkronizuara degraduese në media, mbi “vlerat e luftës dhe lirisë”, kanë ndërtuar një strategji të qartë tashmë, për nxitjen e reagimit vetëgjykues të kategorive të luftës.
Qëllimi i këtyre deklarimeve dhe veprimeve nuk është spontan, është i projektuar për t’u përçuar si mesazh në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë – DHS, me synimin që luftëtarët e UÇK-së të paraqiten si eksponentë të dhunës dhe krimit, në funksion të pretences së akuzës për lëvizjen kombëtare dhe luftën e UÇK-së si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Ky epitet nuk ka lindur rastësisht. Ai është ushqyer me vite përmes veprimeve të koordinuara dhe dezinformimit sistematik.
Në këtë vijë, eksponentët e jugonostalgjizmit, bij të një mendësie neokomuniste, të edukuar tradicionalisht në frymën e patriotizmit jugosllav, sot artikulojnë një narrativë të rrezikshme, synojnë relativizimin e kauzës së luftës së UÇK-së për liri, dhe shndërrimin e saj në një konflikt të brendshëm kundër “mendimit ndryshe” në vitet e okupimit 1989 – 1999.
Sipas kësaj logjike, lufta çlirimtare deformohet dhe paraqitet si represion ndaj një shtrese që, në realitet, përfaqësonte mbetje të organizuara të një strukture projugosllave, të lidhura në lëvizje dhe organizime me orientim të qartë ideologjik socialist dhe neokomunist.
Kjo frymë, e drejtuar politikisht dhe ideologjikisht nga çarqe të afërta me Serbinë e Jugosllavinë, nga mentori ideologjik i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe këshilltari kryesor i Kurtit, për negociata me Serbin në procesin e dialogut, Veton Surroi. Ai ka operuar edhe në pluralizmin e hershëm të 90-tave, përmes formacioneve si “Emajta Jugosllave/Jugosllavenska Levica” të Mira Markovic- Millosheviç, dhe lidhjeve të saj me strukturat e kohës së Millosheviçit.
Kjo nomenklaturë nuk është tërhequr as në momentet kyçe historike. Në Rambuje, përfaqësonte të njëjtën frymë ideologjike, që e mbështeti ofertën për autonomi, të ofruar nga Millosheviçi dhe jo projektin për liri të plotë e pavarësi, duke u rreshtuar hapur kundër aspiratës shqiptare për shtetësi. Pra, kemi të bëjmë me një vijimësi të njëjtë politike dhe ideologjie, jo me qëndrime të reja.
Sot, kjo strukturë është më e organizuar dhe më e sinkronizuar se kurrë me akterë anti-UÇK dhe anti-shtet të Kosovës, përfshirë edhe agjenturat që artikulojnë projekte që u ofruan nga Milosheviçi, si “Republika e Tretë”.
Në këtë kontekst, duhen vënë në pah edhe pretendimet që dolen nga përgjime të niveleve të larta, nga një takim i Kurtit dhe Macron në Paris, një takim që ndodhi dhe u organizua pa transparencë për publikun dhe pa agjendë të bërë të ditur, ku përmenden kërkesa të drejtpërdrejta për ndikim në procesin gjyqësor ndërkombëtar në Hagë.
Sipas këtyre pretendimeve, në komunikim me Presidentin francez është kërkuar ndërhyrje që vendimet e gjykatës të jenë “në favor të drejtësisë”, duke e lidhur lirimin e të akuzuarve në Hagë me paragjykimin se mund të bëhen “pengesë për zbatimin e planit europian për paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Kur ndodh një komunikim i tillë, atëherë kemi të bëjmë me një ndërhyrje të rëndë politike mbi drejtësinë dhe me një instrumentalizim të saj për agjenda negociuese.
Madje, sipas të njëjtave pretendime, këto përgjime janë realizuar në kuadër të monitorimeve të raporteve ndërkombëtare dhe informacioni i tillë qarkullon në nivele të larta politike rajonale. E vërteta e këtij pretendimi, sjellë implikime që janë serioze dhe kërkojnë përgjegjësi.
Prandaj, situata nuk është më thjesht politike, ajo është bërë strukturore dhe e rrezikshme për vetë themelet e shtetit.
Kur një qeveri dhe rrjetet që e mbështesin hyjnë në një koordinim të tillë narrativ dhe veprues kundër luftës çlirimtare, atëherë mekanizmat institucionalë vihen në pikëpyetje serioze.
Situata ka eskaluar deri në atë nivel saqë, nëse kjo strukturë projugosllave dhe ky drejtim politik nuk ndalen nga mekanizmat ekzistues institucionalë, as edhe strukturat që bartin peshën e drejtimit të luftës për liri, kurdo që rikthehen, nuk arrijnë ta ndalin këtë proces, atëherë përplasja qytetare në një trajtë të “Luftës Civile”, do bëhet e pashmangshme.
Duhet të jemi të qartë se, thirrjet për përplasje nuk janë zgjidhje dhe bartin pasoja të rënda për shoqërinë. Por paralajmërimi është real, nisur nga përvojat që ofron historia, shoqëritë që nuk arrijnë të mbrojnë institucionet, të vërtetën historike dhe vlerat themelore, për çka si pasoj kanë krizë në konsolidimin e identitetit kombëtar, rrezikojnë të hyjnë në faza të thella destabilizimi. Pikërisht për këtë arsye, mbrojtja e vlerave të luftës nuk është vetëm çështje e së kaluarës, por kusht për të ardhmen e shtetit dhe identitetit kombëtar.



