Presidenti si faktor stabiliteti: një reflektim mbi profilin e duhur
Shkruan: Nur Çeku
Kosova nuk është më në krizë të zakonshme politike. Ajo ndodhet në një cikël të përsëritur bllokade institucionale, mosbesimi të thellë dhe marrëveshjesh të paqarta politike, që gradualisht kanë zbehur rolin dhe dinjitetin e institucionit të Presidentit. Në këtë realitet, vazhdimi me të njëjtat praktika nuk përbën zgjidhje – përkundrazi, e thellon problemin. Të gjitha partitë kryesore pretendojnë presidentin “e tyre” ndërkohë shteti dhe qytetarët kanë nevojë për një President të Kosovës. Kjo logjikë e kapjes partiake ka prodhuar vetëm krizë dhe jo stabilitet. Tashmë është e qartë dhe po theksohet edhe nga vet partitë politike se nëse vendi shkon serish në zgjedhje të reja parlamentare, rezultati do të jetë pak a shumë i njëjtë. E kjo do të këtë si pasojë vijimin e polarizimit, bllokadës dhe thellimit të krizës institucionale.
Në këto rrethana, rrugëdalja nuk mund të vijë nga kompromiset e fshehta apo marrëveshjet e zakonshme politike, por nga një figurë që qëndron mbi palët- një personalitet që nuk i përket askujt, por i shërben të gjithëve. Edhe pse ushtrimi i shumicës së kompetencave presidenciale janë të ndërlidhura me institucionet e tjera, roli i Presidentit nuk vetëm është formal. Ai është garantues i funksionimit kushtetues dhe simbol i unitetit të popullit.
Në këtë kontekst, Murat Jashari paraqitet alternativën e vetme serioze dhe të qëndrueshme për ta udhëhequr vendin drejt një faze të re stabiliteti dhe konsolidimi institucional. Së pari, ai vjen nga një prej familjeve më emblematike në historinë moderne të Kosovës- Familja Jashari. Ky nuk është vetëm një fakt historik apo emocional, por një kapital i fuqishëm moral që lidhet drejtpërdrejt me sakrificën për liri dhe shtetndërtim. Në një shoqëri ku memoria kolektive ka peshë të madhe në legjitimitetin politik, kjo përbën një bazë të fortë besimi dhe kredibiliteti publik.
Së dyti, përvoja e tij akademike në fushën juridike -kushtetuese e pozicionon atë si një njohës të thellë të rendit juridik dhe institucional. Në një kohë kur vendi përballet me kriza interpretimi kushtetues dhe bllokada politike, një president me këtë profil do të mund të shërbente si garantues i respektimit të shkronjës dhe frymës se Kushtetutës.
Një dimension i rëndësishëm që duhet theksuar është edhe nevoja për reformë kushtetuese, nëpërmjet së cilës Presidenti i ardhshëm pas 5 vitesh të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Kjo reformë duhet te jete një nga angazhimet me prioritet nga dita e parë e mandatit presidencial. Lë të kujtojmë këtu me çfarë dramaciteti u proceduan në Kuvend për shqyrtim amendamentet kushtetuese përkatëse nga ish Presidentja e vendit, në ditën e fundit të afatit të zgjedhës se Presidentit. Një figurë me legjitimitet moral dhe profesional si Murat Jashari do të mund ta shtynte përpara këtë proces dhe Presidenti i ardhshëm te kishte legjitimitetin e drejtpërdrejt qytetar.
Gjithashtu edhe konteksti kombëtar dhe ndërkombëtar kërkon një figurë që mund të ndërtojë ura komunikimi. Kosova ka nevojë për një President që përfaqëson dinjitet, maturi dhe qartësi në raport me aleatët strategjikë, duke forcuar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare. Në një skenë politike të karakterizuar nga polarizimI i thellë, një figurë e paanshme si Murat Jashari mund të luajë rol kyç si faktor stabilizues. Distanca e tij nga konfliktet e përditshme partiake krijon hapësirë për dialog, bashkëpunim institucional dhe rikthim të besimit publik.
Nëse një figurë e tillë do të merrte drejtimin e shtetit, partitë politike do të detyroheshin të zhvendosin fokusin nga bllokadat dhe pazaret drejt programeve konkrete dhe konkurrencës reale politike. Kjo do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt pjekurisë demokratike dhe transformimit të kulturës politike në vend.
Pesë vitet e ardhshme pritet të jenë vendimtare dhe potencialisht sfiduese për Kosovën. Në këtë kontekst dinamik, nevoja për një figurë integruese, të besueshme dhe të qëndrueshme është më e madhe se kurrë. Për shumëkënd, Murat Jashari përfaqëson pikërisht këtë profil. Prandaj, si mazhoranca ashtu edhe opozita duhet të tejkalojnë logjikën e bllokadës dhe të bëjnë një hap të guximshëm politik: të mbështesin një figurë që bashkon. Jo si kompromis i detyruar, por si zgjedhje e vetëdijshme për stabilitet, unitet dhe funksionalitet institucional.
Koha kërkon lidership të përgjegjshëm, gjithëpërfshirës dhe me integritet. Heqja dorë nga kalkulimet e ngushta dhe mbështetja e figurave që bashkojnë është rruga e vetme përpara. Sot, më shumë se kurrë, koha kërkon një President që përfaqëson unitetin – dhe për shumëkënd, ky profil është Murat Jashari.
Sigurisht se votimi i Murat Jasharit në postin e Presidentit mbetet i kushtëzuar nga faktorë të ndryshëm: personal, politikë dhe institucionalë. Vendimmarrja përfundimtare, megjithatë, mbetet rezultat i proceseve politike dhe institucionale që reflektojnë balancat dhe prioritetet e aktorëve përkatës. Por për Murat Jasharin subjektet politike kanë deklaruar se do te votonin kandidaturën e tij, prandaj koha është që ky deklarim të jetësohet dhe z. Murat Jashari të pranojë kandidaturën dhe vendi të stabilizohet dhe mos shkoj në zgjedhje. Shkuarja në zgjedhje nuk është problem në vete, sepse zgjedhjet nuk po i zgjidhin problemet por po i kalibrojnë edhe me shumë. A kemi kapacitete si shoqëri që te parandalojmë këtë?
Autori është doktor shkence në fushën e të drejtës kushtetuese.



