Trumpi akuzon Zelenskyn se nuk e ka lexuar propozimin e tij për paqe
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pretenduar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy “nuk e ka lexuar” një propozim paqeje të hartuar nga ShBA-të që synon t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Trumpi e ka kritikuar Zelenskyn pasi negociatorët amerikanë dhe ukrainas kanë përfunduar tri ditë bisedimesh të shtunën që synonin të ngushtonin mosmarrëveshjet mbi propozimin e administratës amerikane.
Por në një shkëmbim me gazetarët të dielën në mbrëmje, Trumpi ka sugjeruar që udhëheqësi ukrainas po i pengon bisedimet të ecin përpara, shkruan “Associated Press”.
“Jam pak i zhgënjyer që presidenti Zelenskyy nuk e ka lexuar ende propozimin, që ishte deri para disa orësh. Populli i tij e pëlqen atë. Por ai nuk e ka bërë – Rusia është dakord me të”.
“Rusia, besoj, është dakord me të, por nuk jam i sigurt nëse Zelenskyy është dakord me të. Populli i tij e pëlqen atë, por ai nuk e ka lexuar”, u ka thënë Trumpi gazetarëve në tapetin e kuq në Kennedy Center Honors.
Por, presidenti rus, Vladimir Putin gjithashtu nuk e ka shprehur publikisht miratimin për planin e Shtëpisë së Bardhë. Në fakt, Putini javën e kaluar kishte thënë se aspekte të propozimit të Trump ishin të pazbatueshme.



