Përparim Rama mbështet protestën e veteranëve të UÇK-së në Shkup: Prishtina është me ju
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dhënë mbështetje protestës së thirrur për 13 dhjetor në Shkup nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.
Rama ka thënë se kjo protestë në Shkup vjen pas Prishtinës dhe Tiranës, ku do të ngrihet zëri për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Pas Prishtinës dhe Tiranës, edhe Shkupi ngre zërin për drejtësi. Kjo është një thirrje për unitet, respekt dhe mbrojtje të vlerave që na bashkojnë si popull”.
“Shpreh mbështetjen time për të gjithë shqiptarët e Shkupit dhe të gjitha trevave që nesër protestojnë në mënyrë paqësore, në mbrojtje të UÇK-së, si vlerë e patjetërsueshme kombëtare”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Ai ka thënë se si kryetar i kryeqytetit të Kosovës, do të jetë gjithmonë krah bashkëkombësve.
“Forca jonë si popull qëndron te uniteti, respekti dhe mirënjohja. Shkupi, Prishtina është me ju”, ka shkruar Rama.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se protesta në Shkup do të jetë paqësore.
Qëllimi i protestës, sipas organizatorëve, është shprehja e pakënaqësive të akumuluara lidhur me trajtimin që u është bërë ish-krerëve të UÇK-së, veteranëve dhe procesit të përgjithshëm të drejtësisë që, sipas tyre, shpesh është zhvilluar me padrejtësi, paqartësi dhe pa respekt të plotë për kontributin e tyre në lirinë e vendit.



