Zëra nga përtej Atlantikut: IPDV realizon Dialogun Transatlantik për Qeverisjen Demokratike

17 dhjetor 2025 | 13:39

Dialogu Transatlantik mbi Qeverisjen Demokratike – IPDV ka organizuar takim me përfaqësues të lartë dhe ekspertë nga Evropa, Amerika e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Kanada dhe Ballkani Perëndimor

Më 12 dhjetor 2025, Instituti për Mbrojtjen e Vlerave Demokratike (IPDV) organizoi Dialogun Transatlantik mbi Qeverisjen Demokratike, një takim ndërkombëtar i nivelit të lartë që mblodhi anëtarë dhe ish-anëtarë parlamentesh, ekspertë të politikave publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Evropa, Amerika e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Kanada dhe Ballkani Perëndimor.

Dialogu u zhvillua në një moment vendimtar për demokracitë bashkëkohore, të cilat po përballen me presione të shumëfishta, përfshirë dobësimin e institucioneve, rënien e besimit publik, përhapjen e dezinformimit dhe sfida gjeopolitike që ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë demokratike dhe rendin ndërkombëtar.

Takimi u hap nga kryetarja e IPDV-së, Vlora Jashanica, e cila theksoi se demokracia nuk mund të mbështetet vetëm në procedura formale, por kërkon institucione të besueshme, lidership etik, vendimmarrje të bazuar në fakte dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërkombëtar.

Ajo nënvizoi se mbrojtja e vlerave demokratike mbetet një përgjegjësi e përbashkët që tejkalon kufijtë kombëtarë.

Në hapje të Dialogut, Jashanica njoftoi se IPDV kishte pranuar një komunikim zyrtar nga Zyra e Presidentit Bill Clinton, përmes të cilit u përcollën urimet për zhvillimin e suksesshëm të Dialogut Transatlantik, duke riafirmuar rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm transatlantik në mbrojtjen e demokracisë dhe jetës njerëzore.

Një moment i veçantë i takimit ishte video-mesazhi nga Qeveria e Kanadasë, i përcjellë nga Hon. Rob Oliphant, Sekretar Parlamentar i Ministrit të Punëve të Jashtme dhe njëherit Deputet i Parlamentit të Kanadasë, i cili rikonfirmoi përkushtimin e Kanadasë ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut, lirisë së mediave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke theksuar se demokracia mbetet gjithmonë parësore për Kanadën dhe e vlefshme për t’u mbrojtur.

Diskutimet u organizuan në katër sesione tematike që trajtuan besueshmërinë institucionale dhe qëndrueshmërinë demokratike, sundimin e ligjit, llogaridhënien dhe etikën institucionale, bashkëpunimin transatlantik, si dhe perspektivat e ardhshme për forcimin afatgjatë të demokracisë në një mjedis global në ndryshim.

Në kuadër të Dialogut, Brando Benifei, Anëtar i Parlamentit Evropian dhe Kryesues i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, theksoi se proceset demokratike po përballen me presione në rritje nga dezinformimi, ndërhyrjet e jashtme dhe keqpërdorimi i teknologjive digjitale, duke nënvizuar nevojën për mbrojtjen e integritetit demokratik përmes koordinimit të ngushtë ndërmjet demokracive. Ai po ashtu vuri në dukje se Evropa po përballet me presione jo vetëm nga kundërshtarët, por në disa raste edhe nga aleatë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua çështjeve të sigurisë dhe stabilitetit demokratik. Jason F. Emert, Avokat Ndërkombëtar, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare të SHBA (JAG), si dhe Ekspert Ndërkombëtar i Zgjedhjeve dhe Promovues i Demokracisë, theksoi se Kosova përfaqëson një shembull të qartë të orientimit të qëndrueshëm drejt vlerave perëndimore dhe rendit euro-atlantik, pavarësisht sfidave të vazhdueshme politike dhe presioneve të jashtme.

Ai vlerësoi rolin e Kosovës si partnere të përgjegjshme dhe konstruktive në arkitekturën e sigurisë rajonale, duke përmendur në mënyrë të veçantë bashkëpunimin e vazhdueshëm të forcave të Kosovës me Iowa National Guard, përfshirë pjesëmarrjen në trajnime të përbashkëta dhe angazhime ndërkombëtare, si dëshmi konkrete e profesionalizmit, ndërveprueshmërisë dhe përkushtimit ndaj standardeve të NATO-s.

Emert nënvizoi se prania dhe angazhimi i vazhdueshëm transatlantik, përfshirë rolin e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk përbëjnë një çështje të papërfunduar, por mbeten faktorë kyç për ruajtjen e paqes, parandalimin e destabilizimit dhe forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se Ballkani Perëndimor nuk duhet parë si periferi e Evropës, por si pjesë integrale e sigurisë evropiane dhe transatlantike, duke nënvizuar se qartësia institucionale dhe integrimi euro-atlantik janë thelbësore për stabilitetin afatgjatë të rajonit.

Kontribute të rëndësishme ofruan gjithashtu anëtarë dhe ish-anëtarë parlamentesh, si dhe ekspertë ndërkombëtarë për demokraci dhe qeverisje nga Evropa, Mbretëria e Bashkuar dhe Ballkani Perëndimor, duke trajtuar çështje që lidhen me integritetin institucional, sundimin e ligjit, transparencën, etikën publike dhe forcimin e besimit qytetar.

Dialogu Transatlantik mbi Qeverisjen Demokratike riafirmoi rolin e Institutit për Mbrojtjen e Vlerave Demokratike (IPDV) si një zë tashmë i konsoliduar ndërkombëtar, me veprim transatlantik, në fushën e demokracisë dhe qeverisjes demokratike. Takimi përcolli qartë mesazhin se, edhe në rrethana globale jashtëzakonisht komplekse dhe sfiduese, përfaqësues me bindje politike dhe përkatësi të ndryshme mbeten të bashkuar dhe të vendosur në mbrojtjen e demokracisë, lirisë dhe rendit demokratik, duke artikuluar një gjuhë të përbashkët mbi parimet themelore mbi të cilat ndërtohen shoqëritë demokratike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në 46-vjetorin e lindjes ka…