Liderëve të BE-së u kërkohet t’i përdorin asetet e ngrira ruse për ta financuar mbrojtjen e Ukrainës
Udhëheqësit europianë po inkurajohen të vendosin nëse do të përdorin asetet e ngrira të Rusisë për të financuar mbrojtjen e Ukrainës në një kohë presioni të paparë nga SHBA-ja.
Në një samit kritik në Bruksel të enjten, udhëheqësve të BE-së do t’u kërkohet të mbajnë një premtim për të gjetur para të nevojshme urgjentisht për Ukrainën, me Kievin nën presion për të lëshuar territor ndërsa Rusia vazhdon të përparojë në fushën e betejës, shkruan The Guardian.
Duke folur në parlamentin europian në prag të samitit, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha: “Nuk ka akt më të rëndësishëm të mbrojtjes europiane sesa mbështetja e mbrojtjes së Ukrainë”.
“Ajo shtoi se “ditët e ardhshme do të jenë vendimtare në sigurimin e kësaj”.
Von der Leyen tha se Europa duhet të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj në një botë që ajo e përshkroi si “të rrezikshme dhe transaksionale”, duke shtuar: “Kjo nuk është më një opsion. Është një domosdoshmëri”.
Më herët këtë muaj, von der Leyen propozoi dy mundësi për të financuar nevojat urgjente të Ukrainës për mbrojtje dhe civile në vitet 2026 dhe 2027: huamarrje e përbashkët nga BE-ja ose një e ashtuquajtur “kredi dëmshpërblimi” e siguruar kundër aseteve të ngrira të Rusisë në bllok.
Belgjika, e cila mban pjesën më të madhe të aseteve ruse të bllokuara prej 210 miliardë eurosh në BE, thotë se i mungojnë garancitë e mjaftueshme që shtetet anëtare do t’i vinin në ndihmë nëse skema do të dështonte, duke e lënë Brukselin me një faturë prej shumë miliardë eurosh.
Banka qendrore ruse njoftoi këtë javë se po kërkonte 230 miliardë dollarë dëmshpërblim kundër Euroclear, depozitarit të letrave me vlerë me seli në Bruksel që mban pjesën më të madhe të pasurisë sovrane të Rusisë në BE.
Belgjika gjithashtu ka frikë se gjykatat në vendet aleate me Rusinë do të lëvizin për të sekuestruar asetet perëndimore për të zbatuar pretendimet kundër Euroclear.



