Ademi pret në takim drejtorin e Federatave të Evropës në FIFA, Elkhan Mammadov
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur në selinë e FFK-së drejtorin e Federatave të Evropës në FIFA, Elkhan Mammadov, i cili po qëndron për vizitë në vendin tonë me rastin e inaugurimit të fushës “FIFA Arena” në shkollën fillore “Hasan Prishtina”.
Gjatë takimit, Ademi e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që ai personalisht, por edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i japin Federatës së Futbollit të Kosovës dhe zhvillimit të futbollit në vendin tonë.
“Projekti “FIFA Arena” është një iniciativë e rëndësishme e FIFA-s, që synon krijimin e hapësirave moderne dhe të sigurta, ku fëmijët dhe të rinjtë mund të luajnë futboll dhe të zhvillojnë talentin e tyre”.
“Nga ana e tij, Mammadov më përgëzoi për sukseset e arritura gjatë këtij viti, në veçanti për kualifikimin e Kombëtares në “play-off”, duke shprehur urimin që edhe dy ndeshjet e muajit mars t’i përmbyllim me sukses dhe për herë të parë të sigurojmë kualifikimin në Kupën e Botës”, ka shkruar Ademi në Facebook.



