Qeveria shqiptare shqyrton sot buxhetin 2027, pritet kompensimi për bizneset e dëmtuara nga protestat
Sot Qeveria e Shqipërisë do të shqyrtojë projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikohet të ketë një vlerë prej 10 miliardë eurosh. Më pas, dokumenti do të prezantohet në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit nga ministri i Financave, Petrit Mala, për të vijuar më tej me diskutimet në komisionet parlamentare.
Një nga elementet e veçanta të buxhetit të ri është përfshirja e kompensimit për bizneset që kanë pësuar dëme gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet gjatë 15 ditëve të fundit, shkruan rtsh, transmeton KosovaPress. Sipas saj, mekanizmi për dëmshpërblimin e bizneseve pritet të përfshihet në buxhetin e vitit 2027, në kuadër të masave të propozuara nga kryeministri Edi Rama.
Pas prezantimit të projektbuxhetit në Konferencën e Kryetarëve do të përcaktohet kalendari i punës së Kuvendit, ndërsa më pas do të nisë shqyrtimi i detajuar i zërave buxhetorë në komisionet parlamentare.
Sa i përket opozitës, shkruan rtsh, Partia Demokratike pritet të vijojë bojkotin e pjesshëm të punimeve parlamentare, ndërsa demokratët kanë paralajmëruar se nuk do të bëhen pjesë e normalitetit parlamentar, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse PD-ja do të marrë pjesë në diskutimet për buxhetin e ri në Konferencën e Kryetarëve dhe në çfarë forme do të shprehet për paketën fiskale që shoqëron projektbuxhetin.



