Gjenerali Hisen Berisha me Hamzën: Asnjë agjendë nuk mund ta sabotojë apo ta shantazhojë PDK-në
“Asnjë agjendë nuk mund ta sabotojë apo ta shantazhojë Partinë Demokratike të Kosovës. Klina, e Anton Qetës, Muj Krasniqit, Leonard Palucaj, dëshmorëve, heronjve e bashkëluftëtarëve të mi, na priti me entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe zjarr shpirtëror. Edhe ndërprerja e energjisë elektrike në momentin e hyrjes në sallën e takimit nuk e zbehu aspak atmosferën, përkundrazi, e forcoi vendosmërinë dhe mobilizimin qytetar për ndryshim”, ka shkruar në “Facebook” kandidati për deputet i PDK-së me numër 67, gjenerali Hisen Berisha.
Ai ka thënë se mbështetja për PDK-në dhe kandidatët e saj për deputetë buron nga kujtesa kolektive e qytetarëve për vitet vendimtare të qeverisjes së saj, kur Kosova u bë shtet i pavarur dhe u ndërtua si shtet funksional me institucione të forta.
“Është votë e arsyes, e përvojës dhe e besimit në aftësinë për të udhëhequr në momente historike. Klina e dëshmoi qartë, se PDK mbetet forca politike që nuk ndalet nga pengesat, por forcohet prej tyre, e gatshme për fitore dhe përgjegjësi shtetërore”, ka shkruar 67-shi i PDK-së.



