Rama flet për takimin e fundit me Thaçin në Hagë: “Në Hagë po kryhet padrejtësi historike ndaj UÇK-së”

21 dhjetor 2025 | 18:48

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka foliur për proesin e gjatë procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas vizitës së tij në Hagë dhe takimit me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë podkastit “Flasim”, Rama e vlerësoi këtë proces si “padrejtësi ulëritëse” dhe një “farsë” që ka zanafillën në Këshillin e Europës dhe vijon në Gjykatën Speciale.

Në qendër të deklarimeve të kryeministrit shqiptar ishte takimi me Thaçin, të cilin ai tha se e kishte gjetur në gjendje të mirë shpirtërore, të qetë dhe të buzëqeshur. Rama e interpretoi këtë qëndrim si shenjë të një njeriu të pafajshëm dhe me karakter të fortë, pavarësisht rrethanave të paraburgimit që zgjat prej më shumë se pesë vitesh.

Sipas Ramës, procesi në Hagë nuk përbën thjesht një çështje individuale për disa ish-udhëheqës të UÇK-së, por një padrejtësi që rëndon mbi vetë popullin e Kosovës. Ai theksoi se lufta e Kosovës ishte një luftë për liri dhe se drejtuesit e saj, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, kanë pasur rol vendimtar jo vetëm në çlirimin e vendit, por edhe në mbylljen e një kapitulli të errët të historisë europiane.

Në deklaratën e tij, Rama pati gjuhë të fortë, duke e përshkruar arrestimin e Thaçit si akt të padrejtë dhe duke e lidhur nisjen e procesit me raportin për trafik organesh, të cilin e quajti të fabrikuar dhe të mbështetur në akuza të pabazuara. Ai kritikoi gjithashtu rolin e institucioneve europiane dhe ndërkombëtare, duke vënë në dyshim përmbushjen e premtimit për drejtësi që, sipas tij, iu besua kësaj gjykate.

Kryeministri shqiptar shtoi se paraburgimi i zgjatur pa një vendim përfundimtar përbën një problem serioz për parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë, vlera që Europa pretendon t’i mbrojë. Ai i cilësoi të paraburgosurit në Hagë si “pengje të një padrejtësie” dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për ta.

Në fund, Rama u shpreh me shpresë se viti i ri do të sjellë një kthesë në këtë proces dhe fundin e asaj që ai e konsideron një turp për drejtësinë ndërkombëtare, për luftën e UÇK-së dhe për Republikën e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar publikimin e një serie…