Zyrtare: Lindon Emerllahu transferohet te Polissya Zhytomyr
CFR 1907 Cluj ka konfirmuar zyrtarisht largimin e mesfushorit Lindon Emerllahu.
Klubi rumun ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me FC Polissya Zhytomyr për transferimin përfundimtar të futbollistit 23-vjeçar në kampionatin ukrainas.
Emerllahu iu bashkua CFR Clujit gjatë dimrit të kaluar dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga mesfushorët më të spikatur të kampionatit. Me fanellën e Cluj, ai regjistroi gjithsej 41 paraqitje zyrtare, duke shënuar 6 gola dhe duke dhënë 3 asistime.
Kontributi i tij ishte i rëndësishëm edhe në sukseset e skuadrës, teksa sezonin e kaluar ishte pjesë e ekipit që fitoi Kupën e Rumanisë, një trofe me peshë për klubin nga Cluji.
Në njoftimin zyrtar, CFR Cluj e ka falënderuar Emerllahun për profesionalizmin dhe angazhimin e treguar gjatë kohës së qëndrimit në klub, duke i uruar njëkohësisht shumë sukses në vazhdimësinë e karrierës së tij te Polissya Zhytomyr.



