Ngjarjet kryesore që shënuan Kosovën në 2025-n  

31 dhjetor 2025 | 20:04

Viti 2025 ishte i ngarkuar për Kosovën, i shënuar nga zhvillime politike, diplomatike dhe shoqërore që ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhat e brendshme dhe në pozitën ndërkombëtare të vendit. I gjithë viti që po lëmë pas u karakterizua nga bllokada institucionale, politike dhe ekonomike. Madje mund të thuhet se ishte kryesisht vit zgjedhor gjatë të cilit u mbajtën katër palë zgjedhje: zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, zgjedhjet lokale të 12 tetorit, balotazhi i 9 nëntorit si dhe, së fundmi, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, raporton “Epoka e re”.

Vetëvendosja fiton zgjedhjet e 28 dhjetorit

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke fituar 49.30 për qind, pasuar nga PDK-ja me 21.01 për qind, LDK-ja me 13.59 për qind dhe AAK-ja me 5.68 për qind. Ndërkaq Lista Serbe, e afërt me Beogradin, fitoi 4.74 për qind të votave.

BE-ja i heq masat Kosovës

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026. Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që njoftoi e para se BE-ja vendosi t’i heqë të gjitha masat deri në fund të janarit. Vendimi vjen pasi u bë kalimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi ishin pikërisht tensionet në këtë pjesë të Kosovës që shtynë bllokun të vendoste masa ndëshkuese ndaj saj verën e vitit 2023.

Trumpi nënshkruan Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare ku përfshihet edhe Kosova

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (National Defense Authorization Act), i cili autorizon më shumë se 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes dhe përfshin edhe Kosovën. Ky ligj pasqyron rëndësinë që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara i kushtojnë sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.  Akti i Autorizmit të Mbrojtjes Kombëtare përmban disa mesazhe si paqja, stabiliteti dhe se e ardhmja demokratike e Kosovës janë interesa strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Justina Shiroka Pula bëhet gruaja e parë në krye të AShAK-ut

Akademikja Justina Shiroka Pula është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ajo është gruaja e parë që udhëheq këtë institucion të themeluar më 1975 dhe pason në këtë detyrë akademik Mehmet Krajën. Gjatë mbledhjes më 19 dhjetor, AShAK-u zgjodhi edhe kryesinë e saj, ku Fejzullah Krasniqi u zgjodh nënkryetar, ndërkaq Bardh Rugova sekretar shkencor. Mandati i kryetarit të  AShAK-ut është katërvjeçar me mundësi rizgjedhje.

Kelmendi lirohet nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka liruar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit pas kërkesës së tij me shkrim një javë pasi gjykata e lartë e anuloi shkarkimin e tij që kishte nxitur polemika dhe kritika. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Prokurorial, kërkesa e Kelmendit për t’u liruar nga detyra u miratua me 6 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Atë do ta pasojë Agron Qalaj, i cili u ricaktua ushtrues detyre i Kryeprokurorit.

Shpend Ahmetit i ngrihet aktakuzë për deklarim të pasaktë të pasurisë

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë. Sipas aktakuzës, Ahmeti, i cili shërbeu kryetar i Prishtinës për dy mandate, nga viti 2013 deri më 2021, kishte paraqitur “me dashje” deklarata të pasakta të pasurisë, pasi thuhet se nuk kishte deklaruar deponimet në para të gatshme nga 2018 deri në vitin 2022. Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 600.00 eurosh.

Betohen kryetarët e rinj serbë të komunave në veri të Kosovës

Më 5 dhjetor në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, kryetarët e rinj nga Lista Sere e rimorën pushtetin. Lista Serbe ka paralajmëruar se do t’i anulojë vendimet e kryetarëve shqiptarë dhe do të kërkojë qasje në dokumentet e komunave. BE-ja mirëpriti dorëzimin e qeverisjes komunale në katër komunat në veri.

Komunat në veri votojnë për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, kanë votuar më 18 dhjetor për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend. Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Hapet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër

Është hapur për qarkullim të këmbësorëve ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe. Ura e re u përurua më 17 dhjetor nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe kreu i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

Kosova nënshkruan ujdi për blerjen e sistemeve të artilerisë HUMVEE Hawkeye nga prodhuesi amerikan

Kosova ka nënshkruar marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake, AM General, për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme, HUMVEE Hawkeye 105mm, njoftoi të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Në një shkrim në ‘Facebook’, Maqedonci theksoi se “me këtë blerje ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta”. Ai e vlerësoi marrëveshjen si hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe për ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe ndërvepruese me aleatët strategjikë të vendit.

Shqipëria pajisjet me sistemin amerikan Javelin

Shqipëria ka pranuar dërgesën e parë në dhjetor me sistemin kundëtanke Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri me dije Ministria e Mbrojtjes. Sipas ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Pirro Vengu, pajisja e Forcave të Armatosura të Shqipërisë me këtë sistem përbën një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe përmbushjen e synimit për modernizimin e ushtrisë.

Osmani takon në Vatikan Papa Leonin XVI, ia kërkon njohjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me Papa Leonin XVI në Vatikan kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit, me shpresën që Selia e Shenjtë “do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës”. “Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë”, tha Osmani, e cila ka ftuar Atin e Shenjtë për vizitë në Kosovë.

Gjykata Speciale e liron me kusht Isni Kilajn

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pasi gjykatësi vendosi se mbajtja e tij në paraburgim nën akuzat për pengim të drejtësisë nuk ishte “as e arsyeshme, as proporcionale”. Gjykata Speciale njoftoi më 10 dhjetor se gjykatësi erdhi në përfundim se e drejta themelore e Kilajt për lirim peshon më shumë sesa rreziku që ai të ketë ndikim në procesin e drejtësisë në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili është buzë përfundimit.

Lahuta futet në listën e UNESCO-s për mbrojtje urgjente

Lahuta, një vegël e njohur muzikore shqiptare, është futur edhe zyrtarisht në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, njoftoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Lahuta është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s, për mbrojtje urgjente”, pati njoftuar Rama në ‘Facebook’.

Konjufca dështon ta bëjë qeverinë, hapet rruga për zgjedhje

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk i siguroi votat e nevojshme për ta formuar Qeverinë e re të Kosovës. Konjufca ishte figura e dytë e LV-së, pas liderit të partisë, Albin Kurtit, që nuk i siguroi votat e nevojshme. Në ekspozenë e tij, Konjufca tha se ekzekutivi i tij, nëse zgjidhet, do t’i trajtojë çështjet kryesore: “buxhetin e shtetit, miratimin e Planit të Rritjes, disa marrëveshje ndërkombëtare financiare, ekzekutimin e pagave dhe miratimin e buxhetit për Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok”.

Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së

Bedri Hamza u zgjodh kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës gjatë Konventës së mbajtur të kësaj partie pasditen e 17 nëntorit. Hamza u zgjodh përmes votimit të hapur dhe për të nuk votoi askush kundër. Ai nuk kishte kundërkandidat dhe zgjedhja e tij u bë pasi Memli Krasniqi dha dorëheqje nga kreu i partisë.

Kushtetuesja në Shqipëri rikthen Veliajn në krye të Tiranës

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar një dekret të presidentit Bajram Begaj dhe një vendim të qeverisë shqiptare, duke rikthyer në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, dhe duke anuluar mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë. Në dekretin e rrëzuar të Begajt, 9 nëntori ishte shpallur datë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Bashkinë e Tiranës. Ndërkaq, Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë shqiptare për shkarkimin e Veliajt.

Vdes ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, ka vdekur më 31 tetor në moshën 73-vjeçare. Ai kishte qenë i shtruar prej disa ditësh në një spital privat në Tiranë, ku po trajtohej për probleme shëndetësore. Ai prej kohësh kishte probleme me mushkëritë, ndërkaq gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ditët e fundit, raporton transmetuesi publik i Shqipërisë.

Kosova mbajti edhe zgjedhjet lokale

Republika e Kosovës në vitin 2025 ka mbajtur edhe zgjedhjet lokale. Në zgjedhjet e mbajtura më 12 tetor dhe 9 nëntor (balotazhi), Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë fituar nga shtatë komuna, PDK-ja gjashtë, AAK-ja pesë dhe Nisma një komunë. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në: Podujevë, Gjilan, Mitrovicë e Jugut, Shtime, Obiliq, Fushë-Kosovë, Kamenicë. LDK-ja ka fituar në: Prishtinë, Lipjan, Podujevë, Dragash, Junik, Viti dhe Istog.  PDK-ja ka fituar në: Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik  dhe Hani i Elezit.  AAK-ja ka fituar në: Gjakovë, Deçan, Rahovec, Suharekë dhe Klinë. Nisma ka fituar në Malishevë, ndërsa Ramiz Lladrovci, kandidat i pavarur, ka fituar në Drenas.

Kurti nuk i siguron votat për qeveri të re

Propozimi i mandatarit Albin Kurti për një mandat të ri katërvjeçar nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës. Kështu, me 56 vota për, 52 kundër dhe 4 absentime, Kuvendi nuk e zgjodhi qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se tani përgjegjësia kalon te presidentja Vjosa Osmani dhe i mbylli punimet e seancës.

Konstituohet Kuvendi pavarësisht prej kundërshtimeve të Listës Serbe

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e zgjodhën Nenad Rashiqin nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe nuk i siguruan votat e nevojshme. Lista Serbe e kundërshtoi këtë hap dhe konsideroi se janë bërë shkelje kushtetuese. Me gjithë kundërshtimet, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin të konstituuar.

Ulutash rikthehet në komandën e KFOR-it

Gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash ka rimarrë detyrën e komandantit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Ai zëvendëson në krye të KFOR-it gjeneralmajorin italian Enrico Barduanin i cili më 11 tetor 2024 kishte marrë udhëheqjen e misionit pikërisht nga gjenerali Ulutash. Ulutash falënderoi paraardhësin e tij për punën e bërë dhe tha se është i gatshëm të punojë drejt konsolidimit të mëtejmë me autoritetet e Kosovës.

Vdiq aktori Enver Petrovci

Më 22 shtator, në moshën 71-vjeçare, ndërroi jetë aktori Enver Petrovci. Enver  Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Ishte aktor dhe regjisor. Studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në Degën e Aktrimit, pastaj mbaroi studimet për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Mes tensioneve, votohet programi dhe përbërja e Qeverisë së re të Shqipërisë

Mes tensioneve në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët kanë votuar për programin politik për periudhën 2025-2029 dhe përbërjen e qeverisë së re, e udhëhequr nga Edi Rama. Ky është mandati i katërt i Ramës në krye të ekzekutivit shqiptar, pasi subjekti i tij, Partia Socialiste, fitoi zgjedhjet e 11 majit 2025. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, doli në foltore për ta paraqitur programin, por tensionet u rritën pasi në sallë u lëshua një adresim i Diellës, ministres së shtetit për Inteligjencë Artificiale. Diella është një bot i inteligjencës artificial. Qeveria Rama 4, së bashku me Diellën, ka 17 ministra.

Në Hagë kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Në Hagë të Holandës më 14 shtator mijëra shqiptarë nga diaspora, por edhe nga Kosova, protestuan duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta e 14 shtatorit u thirr nga mërgata shqiptare dhe u mbështet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK). Protesta në kryeqytetin holandez u mbajt në një park që gjendet afër selisë së Dhomave të Specializuara.

ShBA-ja pezullon dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën shkaku i veprimeve të qeverisë

Më 12 shtator ShBA-ja ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë, duke cituar rritje të tensioneve dhe paqëndrueshmërisë. Dialogu ishte planifikuar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e kryeministrit Albin Kurti janë parë si sfida për përparim. Vendimi amerikan erdhi në kohën kur autoritetet e Kosovës po kritikojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja vendos masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për formimin e qeverisë së re

Më 5 shtator Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Kjo masë, e cila ishte në fuqi nga 5 deri më 30 shtator, u kritikua nga fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e qeverisë së re. Gjykata e vendosi këtë masë në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Basha distancohet nga artikulli kundër UÇK-së

Kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e ka distancuar sërish veten më 28 gusht nga një artikull që flet për ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në punimin ku ai është bashkautor, thuhet se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”. Basha tha se “distancohem nga të gjithë ata që kanë shkruar kundër kësaj vlere”.

Liburn Aliu jep dorëheqje nga pozita e ministrit pas zgjedhjes së Bashës kryeparlamentar

Liburn Aliu ka dhënë dorëheqje si ministër i Infrastrukturës për shkak, siç tha, zgjedhjes së Dimal Bashës në pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. “Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, shkroi Aliu në “Facebook” më 27 gusht. Ai shpjegoi se dorëheqja e tij vjen pasi bashkëpartiaku i tij, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, më 26 gusht 2025 është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke marrë 73 vota. Kuvendi zgjodhi edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën. Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.

FSK-ja furnizohet me autoblinda nga ShBA-ja

Forca e Sigurisë së Kosovës është furnizuar me autoblinda që janë blerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftuan autoritetet. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar më 15 gusht se ky furnizim është dëshmia e radhës e partneritetit “të palëkundur me ShBA-në”, por edhe hap i rëndësishëm për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Institucionet e pavarura mbeten peng i Kuvendit

Dhjetëra institucione dhe agjenci të pavarura të Kosovës, organet kolegjiale dhe individuale të të cilave emërohen nga Kuvendi i Kosovës, janë jofunksionale ose funksionojnë me mungesa për shkak të mosveprimit të legjislativit. Për shkak të mospajtimeve politike të subjekteve parlamentare, deputetët e legjislaturës së nëntë, e cila doli nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin që nga 15 prilli e deri më tash.

Vetëvendosja fiton zgjedhjet e 9 shkurtit, por jo mjaftueshëm për t’i bërë institucionet

Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë në zgjedhjet e rregullta parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. Ajo fitoi 42.30 për qind të votave, pasuar nga PDK-ja 20.95 për qind, LDK-ja 18.27 për qind dhe AAK-Nisma 7.06 për qind. Pavarësisht këtij rezultati që mori LV-ja, nuk i mjaftoi për t’i formuar vetë institucionet e Kosovës dhe vazhdoi pothuajse gjatë gjithë vitit 2025 bllokada institucionale.

Sheshi ‘Xhorxh Bush’: Punimet ndalen, përplasjet vazhdojnë mes institucioneve komunë – qeveri

Punimet që parashiheshin ta transformonin sheshin “Xhorxh Bush”, në kryeqytetin e Kosovës, gjatë vitit 2025 janë përcjellë me më shumë polemika sesa punime. Problemi qëndron te mosmarrëveshjet në mes të komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për atë se çka rrezikon asetet e trashëgimisë kulturore e çka jo.

Policia e Kosovës në krizë gradimesh

Policia e Kosovës po funksionon me strukturë të çrregullt për shkak të bllokimit të gradimeve. Pozita kyçe vazhdojnë të mbulohen nga zyrtarë pa gradën e duhur. Zyrtarë brenda policisë thonë se në shumë pozita kërkohen gradime. Ata theksojnë se politizimi i proceseve dhe dështimet administrative po minojnë seriozitetin dhe efikasitetin e institucionit.

Sorenseni konfirmohet përfundimisht emisar për dialogun Kosovë – Serbi

Peter Sorensen ka marrë pëlqimin përfundimtar nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian për pozitën e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Paraprakisht, më 24 janar ambasadorët e BE-së kishin konfirmuar Sorensenin në këtë pozitë.

Ngrihet aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt

Më 15 janar Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023, pas përfundimit të hetimeve. Fillimisht, rasti ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë Policia e Kosovës njoftoi se lidhur me rastin ka arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ky proces gjyqësor po vazhdon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se…