Noa Energy Trade reagon ndaj akuzave dhe mohon lidhjet tregtare me Serbinë

07 janar 2026 | 19:31

Kompania “Noa Energy Trade” ka reaguar sot ndaj raportimeve të fundit, duke i cilësuar ato si një “fushatë të vazhdueshme akuzash të pabazuara” që synojnë dëmtimin e reputacionit të saj.

Përmes një deklarate, Bordi Drejtues i kompanisë ka njoftuar se ka marrë vendim për t’iu drejtuar organeve të drejtësisë. Kompania paralajmëron padi civile dhe kallëzime penale ndaj çdo subjekti që ka publikuar informacione të rreme, duke kërkuar edhe dëmshpërblim financiar.

Në lidhje me rapotimet për lidhje tregtare me Serbinë, kjo kompani ka mohuar çdo lidhje duke pretenduar se ‘nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë marrëdhënie tregtare apo bashkëpunim’.

“Noa Energy Trade shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me fushatën e vazhdueshme të akuzave të pabazuara dhe keqinformimit publik të ushtruar nga disa media dhe individë të caktuar, të cilat gjatë muajve të fundit kanë cenuar rëndë reputacionin, integritetin profesional dhe interesat ekonomike të kompanisë sonë.

Theksojmë se Noa Energy Trade ka vepruar dhe vazhdon të veprojë në përputhje të plotë me të gjitha dispozitat ligjore dhe rregullative në Republikën e Kosovës, si dhe me obligimet kontraktuale të marra ndaj institucioneve dhe partnerëve tanë. Çdo pretendim që sugjeron shkelje ligjore apo veprime të jashtëligjshme nga ana e kompanisë sonë është i pavërtetë, i paargumentuar dhe përbën shkelje te rende te interesave tona në kuptim të legjislacionit në fuqi.

Në këtë kontekst, Bordi Drejtues i Noa Energy Trade ka marrë vendim zyrtar për t’u drejtuar organeve kompetente të drejtësisë dhe për të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme, përfshirë ngritjen e padive civile dhe, kur është e aplikueshme, kallëzimeve penale ndaj çdo personi apo subjekti tjetër që, përmes publikimit të informatave të rreme, të pasakta apo tendencioze, ka cenuar apo vazhdon të cenojë emrin, imazhin dhe interesat tona ekonomike. Këto veprime do të ndërmerren në përputhje me legjislacionin përkatës qe denon keto akuza dhe informacione te rreme, dëmtim reputacioni, konkurrencë të padrejtë dhe qe kerkon përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.

Po ashtu, deklarojmë në mënyrë të prerë se Noa Energy Trade nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë marrëdhënie tregetare apo bashkëpunim me asnjë kompani nga Republika e Serbisë. Sqarojmë për transparencë të plotë se të gjithë partnerët tanë janë kompani të regjistruara dhe të licencuara në shtete të Bashkimit Evropian, duke operuar në përputhje me standardet evropiane të tregut të energjisë.

Në të njëjtën kohë, hedhim poshtë kategorikisht çdo insinuatë për lidhje politike të Noa Energy Trade, qoftë në Republikën e Kosovës, në Serbi apo në ndonjë juridiksion tjetër ku kompania jonë ushtron aktivitetin e saj. Noa Energy Trade është dhe mbetet një subjekt i pavarur tregtar, pa asnjë përkatësi apo ndikim politik, dhe çdo pretendim i kundërt përbën dezinformim me qëllim dëmtimi.” – thuhet ndër të tjera në reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një makinë luksoze e llojit “BMW M8”, e vjedhur në…