Zëri i të Mbijetuarit: Rrëfimi i Rrustem Ukës për Masakrën e Familjes Jahaj në Muzhevinë
Masakra e 6 Majit 1920 në Muzhevinë – Dëshmi dhe Dokumentim historik.
Autor Ing. Sadri Jahaj
Ky dokument paraqet një ngjarje të vërtetë të ndodhur në Muzhevinë të Istogut gjatë viteve 1919–1920, të trashëguar ndër breza brenda familjes së Ukë Jahës. Ngjarja nuk është e dokumentuar me emra në arkiva zyrtare, por është ruajtur në traditë gojore, si dhe lidhet me të dhëna të botuara në librin “Shota dhe Azem Galica” nga Ajet Haxhiu. Dokumenti synon ta paraqesë ngjarjen në formë të standardizuar dhe të qartë, pa ndryshuar përmbajtjen origjinale të rrëfimeve familjare.
1. Vrasja e Ukë Jahës (1919)
Sipas tregimeve të brezave të moshuar, Ukë Jaha – babai i Rrustem Ukës, Sadri Ukës dhe Avdyl Ukës – u vra nga bandat e Milić Krstić (Miliç Kërrsta) në një natë pranvere të vitit 1919. Në natën kritike, kur e kanë rrethuar shtëpinë e Ukë Jahës, me qëllim që t’i kapin djemtë e tij, nuk i kanë zënë aty (u ka dështuar informimi nga spiunët ). Të xhindosur prej inatit, e kanë marrë plakun 90 vjeçar dhe e kanë pushkatuar. Thuhet se ai kishte jetuar rreth 90 vjet dhe ishte varrosur pranë xhamisë së Istogut, por varri i tij, sot, është i zhdukur, sepse guri që dikur shënonte vendin është hequr nga persona të panjohur.
2. Masakra e 6 Majit 1920
Më 6 maj 1920, forcat serbe dhe paramilitarët e Milić Krstić (Miliç Kërrsta) natën kanë ardhur në Muzhevinë dhe kanë hyrë dhunshëm në shtëpinë e Sadri Ukë Jahajt. (Kësaj radhe informacioni nga spiunët ka qenë i saktë). Atë natë i kanë lidhur dhe i kanë marrë katër burra:
· Sadri Ukën
· Avdyl Ukën
· Shaban Ramën
· Bajram Aliun (i cili atë natë ka qenë mysafir).
Të katërtit i kanë dërguar të lidhur drejt vendit të quajtur Llugë, pranë lumit të Istogut, ku i kanë torturuar dhe i kanë vrarë. Banorët e moshuar e saktësonin ngjarjen sipas festës së Shëngjergjit, që përputhej me 6 maj.
3. Dëshmia e Rrustem Ukës – i mbijetuari, vëllai i Sadris dhe Avdylit, si trashëgimtar i Ukë Jahës.
Rrustem Uka, atëherë 24 vjeç, është personi kryesor i familjes që i shpëtoi masakrës. Ai tregonte se pas mesnatës shtëpia u rrethua plotësisht, ndërsa paramilitarët thërrisnin me ulërima që të dorëzoheshin.
Në rrëmujën e krijuar, Rrustemi kishte arritur ta çajë rrethimin dhe të fshihej në një verr (lis). Prej aty, ai i kishte dëgjuar goditjet e britmat prej torturave dhe të shtënat që kriminelët kishin ushtruar ndaj të lidhurve. Bashkë me katër burrat i kishin marrë edhe dy fëmijë:
· Xhema (13 vjeç), i vetmi djalë i Sadri Ukës si trashëgimtar.
· Kamberi (16 vjeç), nip i Bajram Aliut
Në një kthesë të rrugës, fëmijët i kishin lënë të lirë me fjalët: “Ikni, gjeni Rrustemin, më vonë vijmë t’ju marrim”!
Rrustemi, Xhema dhe Kamberi janë tri figurat që mbijetuan në shtëpinë e Sadri Ukës.
Sadri Uka ka qenë komitë me çetat e Azem Bejtes, Rrustem Uka, disa herë ka rrëfyer, se atë natë e kemi pritur të veshur agimin e hershëm të ditës që të ikim e të dalim në mal.
4. Varrosja dhe frika pas masakrës
Të nesërmen e masakrës, fshatarët e Muzhevinës u detyruan me frikë të mblidhnin trupat e katër burrave. Ata i kishin torturuar, i kishin prerë me thika në trup dhe në fund i kishin pushkatuar. Për shkak të frikës nga represaliet, askush nuk kishte guxuar të vendoste gurë varri.
Të vrarët i kishin varrosur pranë xhamisë së Tomocit, në të djathtë të hyrjes, rreth 10-12 metra larg derës, vend që njihet vetëm nga rrëfimet e vazhdueshme, bre.
5. Trashëgimia e rrëfimit
Ngjarja është përcjellë vazhdimisht në odën e burrave nga të tre të mbijetuarit, që në atë kohë ishin:
· Rrustem Uka – 24 vjeç
· Xhemë Sadria – 13 vjeç
· Sadik Rama – 12 vjeç
Pas asaj masakre, këta e kishin vazhduar jetën në bashkësi familjare deri më 1974,
kur familja është ndarë në tri degë:
· Rrustem Ukë Jahaj
· Xhemë Sadri Jahaj
· Sadik Ramë Jahaj
(Vlen të theksohet se Sadiku ishte vëllai i Shaban Ramës, të vrarit në masakër.)
6. Lidhja me ngjarjet e dokumentuara
Në librin “Shota dhe Azem Galica” nga Ajet Haxhiu, në kapitullin Net Kosovare 1920, faqja 118, ndër të tjera shkruhet:
“Më 8 maj 1920 serbët kanë shkuar natën në Bollopojë, kanë hyrë brenda në shtëpinë e Sadik Osmanit, e kanë marrë atë, vetë të pestin vëlla, dhe i kanë grirë të gjithë… Gjysma e popullit të katundit Muzhevinë ka ikur e asht shpërnda ndër krahina të Mitrovicës e të Prishtinës.”
Rrustem Uka theksonte gjithmonë se masakra në Muzhevinë ka ndodhur një natë para asaj të Bollopojës, gjë që përputhet plotësisht me këtë citat dhe me dëshminë familjare.
7. Përfundim
Masakra e 6 majit 1920 ndaj familjes së Sadri Ukë Jahajt përbën një ngjarje të rëndë të historisë së Muzhevinës dhe të rajonit të Istogut. Edhe pse mungojnë dokumente zyrtare me emra, rrëfimet e të mbijetuarve, trashëgimia gojore dhe referencat historike të botuara këtë masakër të barbarëve serbë ndaj shqiptarëve e vërtetojnë si pjesë të dhimbshme e të saktë të historisë së kësaj ane.
Ky dokument synon të ruajë, të rregullojë dhe të paraqes atë ngjarje tragjike në formën më të qartë dhe më të besueshme për përdorim historik institucional dhe për përkujtim familjar.
8. Autorësia dhe burimi i përshkrimit të masakrës.
Ky dokument u shkrua nga Sadri Jahaj – nipi i Sadri Ukës i vrarë në këtë masakër.
Përmbajtja është rrëfyer drejtpërdrejt nga tregimi me gojë i Rrustem Ukës dhe të babait të tij, Xhemë Sadria, të cilët i kanë mbijetuar masakrës, dhe të cilët, në oda të burrave, disa herë e kanë treguar, për të mos u harruar, kurrë.



