Jack Smith nën akuza për përdorim “spiunësh”: Nga Haga kundër UÇK-së te hetimi ndaj Donald Trump
Kur Jack Smith po punonte në hetim e më pas në aktakuzë kundër Donald Trump, dokumentet tregojnë se metodat ishin gati të njëjta me ato që aplikoi në ndjekjen e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Përderisa për punën e tij në Hagë ka akuza ende të hapura se ka angazhuar e punuar me informatorë – një prej tyre, Faik Imeri, një personazh kontravers – për të sjellë dëshmitarë të rrejshëm kundër UÇK-së, në SHBA është zbuluar edhe me dokumente se ka paguar “spiunë”, shkruan VOX Kosova.
Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) ka nxjerrë dokumente që tregojnë se Zyra e atëhershme e Prokurorit Special Jack Smith miratoi në vitin 2023 pagesën e 20.000 dollarëve për një burim konfidencial, për të dhënë informacione në kuadër të hetimit për përpjekjet e presidentit Donald Trump dhe mbështetësve të tij për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Sipas Just the News, ky zbulim përfshihet në një seri dokumentesh të reja që drejtori i FBI-së, Kash Patel, ia dorëzoi Kongresit këtë javë dhe që ofrojnë më shumë qartësi mbi taktikat dhe shtrirjen e hetimit që agjentët dhe prokurorët përdorën për të tentuar të ndërtonin një çështje se Trump, avokatët dhe aleatët e tij kishin shkelur ligjin duke tentuar të nxisnin përkrahës të mësyenin Senatin dhe Kongresin.

Dokumentet tregojnë për disa përpjekje të mbikëqyrësve të FBI-së për ta bërë vetë Trump “subjekt” të hetimit – ide që përfundimisht u hodh poshtë.
Një komunikim elektronik “dokumenton miratimin prokurorial, në formën e një emaili dakordësie nga këshilltari i Prokurorit Special, Raymond Hulser, më 02.06.2023, për një pagesë në shumën 20.000,00 dollarë për [emër i redaktuar] për informacionin e ofruar në mbështetje të hetimit të përmendur”, thuhet në një memorandum.
“Pagesa u diskutua nga Raymond Hulser dhe Ndihmës-Prokurorja Speciale Julia Gegenheimer me Prokurorin Special Jack Smith”, thuhet aty.
Dosja e FBI-së, tregon zinxhirin e miratimit, me një agjent të FBI-së që i shkroi zyrës së Smith më 2 qershor 2023.
Hulser u përgjigj shkurt: “Dakord, faleminderit”.

Për këtë zbulim të ri, ka reaguar edhe vetë presidenti Donald Trump, duke thënë se Smith duhet të ishte në burg.

“Nën udhëheqjen time, FBI po prodhon dokumente me një shpejtësi rekord për t’ua sqaruar faktet popullit amerikan. Ajo që ndodhi në çështjen ‘Arctic Frost’ ishte një abuzim i rëndë me pushtetin dhe shkelje e ligjit. Kjo FBI është e përkushtuar të rikthejë llogaridhënien dhe besimin e publikut”, tha ai për Just the News.
Por, cilat janë pretendimet për Jack Smith se punoi gati njëjtë edhe në Hagë kundër krerëve të UÇK-së?
Një raport i ish-agjentit të DEA-s amerikane, John Moynihan, kishte zbuluar se si ish-kryeprokurori Jack Smith kishte përdorur Faik Imerin si ndërmjetësues për sjelljen e dëshmitarëve të rrejshëm kundër krerëve të UÇK-së.
Jack Smith, sipas dëshmisë së Sahitajt, ishte katalizatori kryesor i skemës së falsifikimit të dëshmitarëve. Ai rrëfente se si Smith kishte komunikime të vazhdueshme me Faik Imerin, i cili nga ish-kryeprokurori përdorej si një lloj ndërmjetësuesi për sjelljen e individëve që do të jepnin dëshmi të fabrikuara në dëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Imeri kishte mbështetjen e plotë nga Smith. Paraqitej si agjent i CIA-s me emrin Florian, por më vonë identiteti i tij ishte zbuluar. Për këtë histori, emisioni Opinion në TV Klan kishte prodhuar një dokumentar të gjatë që ofronte detaje tronditëse.



