Kaos në “Camp Nou”, shtyhet prezantimi i Joao Cancelos

13 janar 2026 | 16:40

Barcelona ka njoftuar të hënën transferimin e Joao Cancelos, por teksa mediat ishin mbledhur për prezantimin e tij zyrtar, eventi u anulua. Mbrojtësi portugez pritet t’i bashkohet Blaugranave në formë huazimi deri në fund të sezonit nga klubi saudit Al-Hilal.

Cancelo mbërriti në Barcelonë të hënën dhe kaloi me sukses kontrollin mjekësor. Klubi kishte njoftuar se akti zyrtar i firmosjes do të zhvillohej të martën në orën 13:00 (CEST), ndërsa më pas ishte planifikuar edhe një konferencë për shtyp. Megjithatë, vetëm pak minuta para se konferenca të niste, ajo u anulua dhe njoftimet për rikthimin e Cancelos u fshinë.

Sipas “Sport”, kjo kthesë lidhet me dokumentacionin e marrëveshjes. Al-Hilal ka kërkuar që Barcelona të dërgojë disa dokumente përfundimtare me nënshkrimet e nevojshme që marrëveshja të kompletohet. Klubi katalanas ka komunikuar se kjo çështje u shfaq në momentet e fundit.

Megjithatë, Barcelona këmbëngul se transferimi do të realizohet pa probleme. Fillimisht, nga klubi u tha se prezantimi i Cancelos do të bëhej sapo të zgjidhej çështja e dokumentacionit. Tashmë, versioni zyrtar është se Cancelo do të prezantohet përpara mediave në orën 16:45 (CEST), ndërsa vonesa lidhet me një drekë personale që lojtari kishte organizuar. Pavarësisht kësaj, mediat kishin qëndruar të mbledhura për dy orë para se klubi t’i informonte për shtyrjen.

Barcelona ka aktivizuar rregullin emergjent për dëmtimet, duke shfrytëzuar 80% të hapësirës së pagës së Andreas Christensen për një zëvendësim. Kjo hapësirë do t’i dedikohet Cancelos, ndërsa gjigantët katalanas pritet të paguajnë rreth 5 milionë euro për ta pasur 31-vjeçarin deri në fund të sezonit. Kjo shumë mbulon më shumë se gjysmën e pagës së tij vjetore në Arabinë Saudite, ku ai kishte të garantuara 7.5 milionë euro deri në verë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xabi Alonso ka shprehur zhgënjimin për dështimin e aventurës së…