Michael Carrick merr drejtimin e Manchester United
Manchester United ka zyrtarizuar emërimin e ish-futbollistit të klubit, Michael Carrick, si trajner i përkohshëm i ekipit të parë deri në fund të këtij sezoni.
Carrick merr drejtimin e skuadrës pas largimit të Ruben Amorim, duke e zëvendësuar Darren Fletcher, i cili kishte ushtruar përkohësisht detyrën e trajnerit. Për pozitën e trajnerit të përkohshëm ishte intervistuar edhe Ole Gunnar Solskjaer, por drejtuesit e klubit kanë vendosur t’ia besojnë detyrën Carrickut, pas vlerësimit pozitiv të planeve të tij.
“Është një nder i madh të marrësh përgjegjësinë për ta udhëhequr Manchester Unitedin”, ka deklaruar Carrick. “E di çfarë kërkohet për të pasur sukses këtu dhe fokusi im është t’i ndihmoj lojtarët të arrijnë standardet që i presim nga ky klub i madh”.
Ai ka shtuar se beson plotësisht në cilësitë dhe përkushtimin e skuadrës, duke theksuar se ende ka shumë objektiva për të luftuar deri në fund të sezonit dhe se ekipi synon t’u ofrojë tifozëve paraqitje në nivelin që e meritojnë.
Drejtori sportiv i Manchester Unitedit, Jason Wilcox, ka vlerësuar lart emërimin e Carrickut, duke thënë se ai e njeh shumë mirë klubin dhe është i gatshëm ta udhëheqë ekipin drejt stabilitetit dhe suksesit të qëndrueshëm.



