ZKA-ja dhe Fondacioni Jahjaga diskutojnë për bashkëpunim në kuadër të Rrjetit të Grave në Sektorin e Sigurisë
Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, së bashku me ndihmësauditoren e përgjithshme, Emine Fazliu dhe drejtoreshën e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, priten në takim përfaqësuesit e projektit “Promovimi i përfshirjes së komunitetit, siguria publike dhe fuqizimi i grave për një sektor të qëndrueshëm të sigurisë në Kosove” (MATRA).
Projekti përkrahet nga Qeveria e Holandës dhe zbatohet nga BIRN, Fondacioni Jahjaga dhe Instituti Prevent.
Projekti MATRA, i prezantuar nga përfaqësuesit, Rozafa Ukimeraj, Skënder Presteshi dhe Alba Cikaqi, ka për qëllim krijimin e Rrjetit të Grave në Sektorin e Sigurisë, me fokus takimet e rregullta ndërinstitucionale, shkëmbim përvojash profesionale si dhe zhvillimin e programeve të mentorimit dhe trajnimit.
Auditorja e përgjithshme Vlora Spanca i njoftoi mysafirët për angazhimin e ZKA-së në fuqizimin e grave dhe rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve publike përmes procesit të auditimit.
Spanca dhe Ukimeraj shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit, përfshirë ofrimin e ekspertizës së ZKA-së për nevojat e projektit, ndonëse ZKA nuk është institucion i drejtpërdrejtë i sektorit të sigurisë, si dhe angazhimin në trajnime dhe këshilldhënie për gratë.



