Kë e prek pezullimi i vizave të emigrimit për në ShBA?
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, e ka bërë të qartë se të huajt që emigrojnë në ShBA duhet ta mbajnë veten me punë, dhe jo të bëhen barrë e shtetit.
Prandaj, të mërkurën e 14 janarit vendosi ta pezullojë përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Kosovën.
Tani, Departamenti Amerikan i Shtetit po e bën rishikimin e plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve, për t’u siguruar që emigrantët nga këto shtete – që autoritetet amerikane i cilësojnë si vende me rrezik të lartë – të mos i shfrytëzojnë ndihmat sociale të shtetit amerikan dhe të mos bëhen barrë e parasë publike.
Vendimi, i cili prek edhe kosovarët që duan të aplikojnë për vizë emigrantësh, e njohur më shumë si “Green Card”, do të hyjë në fuqi më 21 janar 2026.
Çfarë është viza e emigrimit?
Viza e emigrimit është vizë që ia mundëson një shtetasi të huaj të hyjë në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të jetojë atje përjetë. Pra, në thelb, kjo vizë është bileta që ia mundëson përfituesit të bëhet ligjërisht banor i përhershëm në ShBA, si mbajtës i “Green Card”.
Kjo vizë u lëshohet atyre që duan të zhvendosen përherë në ShBA, në vend se ta vizitojnë përkohësisht për turizëm, studime ose punë.
Pasi i pranohet viza, personi zakonisht fiton të drejtën për të jetuar përherë në ShBA, për të punuar pa kufizime, dhe përfundimisht për të aplikuar për shtetësi amerikane.
A lejohet aplikimi për vizën e emigrimit gjatë periudhës së pezullimit?
Po. Shtetasit nga vendet e prekura nga vendimi i Trumpit mund të bëjnë kërkesë për vizë dhe mund të marrin pjesë në intervistë.
Departamenti i Shtetit njoftoi se do të vazhdojë të caktojë terminë për intervista, pavarësisht se gjatë kohës së pezullimit nuk do të lëshojë viza të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve të prekura.
Kush nuk preket nga ky pezullim?
Shtetasit me dy shtetësi që aplikojnë me pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i futur në listën e 75 vendeve të prekura nuk preken nga ky vendim.
Për shembull, nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk preket nga ky vendim.
Si ndikon pezullimi tek ata që kanë vizë të vlefshme?
Vendimi i Trumpit nuk ndikon tek ata që tashmë kanë vizë të vlefshme të emigrimit. Pra, vendimi nuk kërkon heqjen e vizave të lëshuara paraprakisht.
A vlen vendimi për vizat turistike?
Jo. Ky vendim vlen vetëm për aplikantët për vizë të emigrimit. Vizat turistike nuk janë viza emigrimi, prandaj edhe nuk preken.
Pse e mori Trump këtë vendim?
Presidenti amerikan tha se një përqindje tejet e lartë e të huajve që janë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara, përmes vizës së emigrimit, nuk punojnë – por varen nga ndihmat sociale amerikane.
Ai nuk dëshiron që të huajt që synojnë të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara të bëhen barrë e parasë publike dhe ndihmave të shtetit.
Për shembull, 46 për qind e shtetasve të Kosovës që kanë shkuar në SHBA përmes vizës së emigrimit marrin ndihma sociale nga Qeveria amerikane, sipas listës së publikuar nga Trump në rrjetet sociale më 4 janar.
ShBA-ja i kishte lëshuar 6.674 viza emigrimi për kosovarët në 10 vjetët e fundit, apo mesatarisht rreth 670 viza në vit, sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit.
“Radio Evropa e Lirë” ka kontaktuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për të marrë një koment prej saj për këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka pranuar një përgjigje.
Butani i prin listës, pasi 81.4 për qind shtetasve të tij që janë zhvendosur në ShBA përmes vizës së emigrimit, jetojnë me ndihma sociale.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Shtetet e Bashkuara kishin lëshuar mbi 612.000 viza emigrimi në gjithë botën në vitin 2024, që është më shumë së në vitin paraprak (562.976).



