Aktakuzë për krime lufte ndaj ish-gardianes së burgut të Prishtinës, i torturonte në mënyrë çnjerëzore të burgosurat shqiptare

16 janar 2026 | 15:52

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj N.C., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane në burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës.

“Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme , si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor”,  ka njoftuar Prokuroria Speciale .

Rasti i ka kaluar për shqyrtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trupi gjykues i Gjykatës Speciale në çështjen Thaçi dhe të…