Fund i një epoke te Barcelona: Ter Stegen pranë largimit pas 12 vitesh
Portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, është pranë largimit nga klubi pas gati 12 vitesh qëndrimi te gjiganti katalanas. Gardiani gjerman pritet të transferohet në formë huazimi deri në fund të sezonit, në kërkim të më shumë minutave në fushë.
Ter Stegen synon të jetë portieri titullar i Gjermanisë për herë të parë në karrierë në një Kampionat Botëror. Megjithatë, përfaqësuesit e kombëtares gjermane, qoftë drejtori sportiv Rudi Völler apo trajneri Julian Nagelsmann, e kanë bërë të qartë disa herë se ai duhet të luajë rregullisht për ta arritur këtë, prandaj është hedhur ideja e largimit në huazim.
Sipas raportimeve të Sport dhe Cadena SER, ter Stegen është shumë pranë një kalimi te Girona në formë huazimi. Trajneri i Gironës, Michel Sánchez, kishte deklaruar në fund të dhjetorit se “çdo skuadër do ta donte ter Stegenin”, ndërsa ai shihet si zgjidhje për problemet e vazhdueshme të ekipit me portierët këtë sezon.
Marrëveshja e huazimit është drejt finalizimit, me vetëm “detajet e fundit” për t’u sqaruar. Ter Stegen pritet të pranojë një ulje page për gjysmën e dytë të sezonit, ndërsa Girona do të mbulojë një pjesë të pagës së tij, me Barcelonën që do të vazhdojë të paguajë shumicën. Sipas Sport, pjesa e Gironës do të jetë rreth 20 për qind e pagës së ter Stegenit.
33-vjeçari ka qenë hezitues për t’u larguar nga Barcelona dhe fillimisht kishte dëshirë të qëndronte për të luftuar për vendin e titullarit me Joan Garcia. Megjithatë, pas rikuperimit nga operacioni, ai është aktivizuar vetëm një herë në Kupën e Mbretit, ndërsa aktivizimi i Garcias ndaj Racing Santander konfirmoi se ter Stegen nuk do të merrte më mundësi të tjera.
Ter Stegen ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2028 dhe është një nga lojtarët më të paguar të klubit, por Joan Garcia duket se është konsoliduar si zgjedhja e parë në portë. Gjithashtu raportohet se ter Stegen dëshiron të mbetet në Barcelonë për arsye familjare, ndaj kalimi te Girona, vetëm një orë larg, është miratuar nga veterani gjerman.



