Gjyqësori me 10 milionë euro më pak se sa kërkoi për vitin 2025
Në mbledhjen e 359-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, gjyqtari Artan Abazi, raportoi për periudhën njëvjeçare të vitit 2025, duke theksuar se gjyqësori ka kërkuar 42 milionë euro buxhet, por ka pasur vetëm 32 milionë.
Abazi tha se mungesa e rreth 10 milionë eurove ka krijuar vështirësi serioze në zbatimin e përgjegjësive të KGjK-së, duke e detyruar institucionin të bëjë lëvizje të mjeteve buxhetore nga një kategori në tjetrën.
Ai bëri të ditur se Komisioni për Buxhet dhe Financa ka zhvilluar takime të rregullta dhe ka paraqitur kërkesat buxhetore pas diskutimeve dhe konsultimeve të brendshme në sistemin gjyqësor.
Sipas tij, janë zhvilluar takime me kryetarët e gjykatave, janë diskutuar nevojat reale dhe, në fund, është hartuar kërkesa buxhetore e cila është dorëzuar në Komisionin parlamentar përkatës.
Më tej, Abazi tha se KGjK, për të dëshmuar seriozitetin e kërkesave buxhetore, ka zhvilluar takime me Komisionin Parlamentar dhe Ministrinë e Financave në nivelet më të larta institucionale.
Po ashtu, ai theksoi se Komisioni ka monitoruar zbatimin e kontratave për rinovime dhe ndërtim të objekteve, menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe hartimin e akteve financiare për nevojat e KGjK-së./BetimipërDrejtësi/



