Boksieri Altin Zogaj – Krenaria e Kosovës në ringun ndërkombëtar

16 janar 2026 | 16:52

Altin Zogaj nga Komorani i Drenicës, boksier profesionist 33-vjeçar, po përballet me një nga sfidat më të mëdha dhe më emocionuese të karrierës së tij. Me një rekord të jashtëzakonshëm prej 17 ndeshjesh, 17 fitore dhe asnjë humbje apo barazim, Zogaj ka ndërtuar një emër të respektuar në arenën ndërkombëtare të boksit. Aktualisht me banim në Stuttgart të Gjermanisë, ai mban disa tituj të rëndësishëm: Kampion i Gjermanisë në BDB, Kampion i Evropës dhe Kampion Ndërkombëtar në IBO, si dhe Kampion i Evropës në WBA – suksese që e rendisin ndër boksierët më premtues të peshës gjysmë të rëndë. Më 5 shkurt 2026, Altin Zogaj do të zbresë në ring në Montreal të Kanadasë, ku do të përballet me Mehmet Ünal, i renditur i 10-ti në botë. Kundërshtari i tij numëron 14 fitore dhe njihet si një rival shumë i rrezikshëm, me përqindje të lartë nokautesh. Ndeshja do të zhvillohet në peshën gjysmë të rëndë (79.3 kg) për titullin “WBC Continental”, dhe organizohet nga promotori i njohur botëror “Eye of the Tiger”, një nga organizatat më prestigjioze të boksit profesionist. Në një deklaratë të shkurtër, Zogaj u shpreh i motivuar dhe i përgatitur maksimalisht: “Kjo do të jetë ndeshja ime më e vështirë, por edhe më interesante deri më tani. E respektoj kundërshtarin, por jam i bindur se do të dal fitues nga shpella e luanëve.” Ai theksoi se, duke qenë mysafir në një kontinent krejtësisht tjetër, është i vetëdijshëm se duhet të japë më shumë se kundërshtari: “Mezi po pres t’i tregoj botës se kush është dhe çfarë përfaqëson Altin Zogaj.”

I lindur në Komoran të Kosovës, Altin Zogaj është një nga boksierët e paktë profesionistë që përfaqëson vendin e tij në nivelet më të larta ndërkombëtare. Ai mban me krenari flamurin e Kosovës dhe atë kombëtar shqiptar, duke përfaqësuar shqiptarët kudo në botë. Një simbol i veçantë i identitetit të tij është edhe përfaqësimi i vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për të mos harruar historinë dhe rrënjët prej nga ka nisur gjithçka. Karakteristikë e veçantë e hyrjes së tij në ring është kënga “Marshi i UÇK-së”, e cila e shoqëron që nga ndeshja e tij e parë profesionale. Kjo përballje ka rëndësi të veçantë jo vetëm për Altin Zogajn, por për gjithë komunitetin shqiptar. Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në ESPN, ndërsa në Evropë do të jetë e disponueshme më 6 shkurt 2026, nga ora 03:00 e mëngjesit. Në fund, Altin Zogaj shpreh një falënderim të veçantë për të gjithë përkrahësit dhe mediat shqiptare, të cilat po e mbështesin vazhdimisht dhe pa kursim në këtë rrugëtim të rëndësishëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Goran Samarxhiev nga Maqedoni e Veriut, është trajneri më i…