Mehmet Musa: Përmirësoni gabimin e paraardhësve tuaj politikë, të cilët nuk e emëruan President “orën e madhe” të shqiptarisë, Adem Demaçin!
Letër Presidentes Vjosa Osmani dhe partive politike në Kosovë, LVV-së dhe Albin Kurtit, PDK-së dhe Bedri Hamzajt, LDK-së dhe Lumir Abdixhikut, AAK-së dhe Ramush Haradinajt.
Momentalisht po flitet e përflitet, përshpëritet e thirret, me zë e pa zë, nga individë dhe figura publike, gazetarë e analistë, për emërimin e Presidentit të ardhshëm të Kosovës, ende pa u konstituuar institucionet pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Me këtë rast, dëshiroj të jap edhe unë opinionin tim modest për atë se çfarë i nevojitet sot Kosovës.
Kosova ka nevojë për një President jashtë çdo partie politike, por njëkohësisht politik; ka nevojë për një figurë unifikuese dhe me integritet, për një person që sadopak do ta zbusë ndarjen dhe përçarjen që e ka përjetuar populli ynë vitin e fundit përmes luftës politike, e cila jo rrallëherë ka shkuar deri në hasmëri dhe linçime ndaj individëve apo grupeve të caktuara të shoqërisë sonë.
Dihet se, në këto 26 vite pas luftës dhe fitores së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentët zakonisht janë zgjedhur mbi bazën e marrëveshjeve dhe kalkulimeve politike, nëse nuk ka ardhur ndonjë “zarf” nga ndonjë ambasador. Edhe zgjedhja e fundit e Presidentes Osmani pati të njëjtin skenar, pavarësisht se para kësaj ngjarjeje Glauk Konjufca kishte deklaruar se Presidenti që do ta propozonin ata (LVV) do t’i merrte 110 vota. Në fakt, znj. Osmani mezi e kaloi kushtin kushtetues dhe, me ndihmën e dy a tre delegatëve serbë, u zgjodh Presidente.
Megjithatë, ja që edhe mandati i saj po përfundon dhe sërish gjendemi në të njëjtën situatë: a do të vazhdojmë, siç dimë më së miri, me taktizime e përllogari, intriga e pabesi, aleanca të dreqit e të djallit, apo kësaj here, pas një fushate politike mbi njëvjeçare, do ta zgjedhim një njeri që me qëndrimin, filozofinë dhe historikun familjar përfaqëson trimëri, dinjitet, unitet dhe dashuri për vendin dhe popullin tonë?
Ky person mund të jetë cilido nga familja Jashari, por unë në këtë rast do të veçoja një prej tyre, i cili edhe për nga mosha, qëndrimi dhe profili do të ishte më i përshtatshmi: Murat Jashari.
Madje, një propozim i tillë do t’i shkonte më së miri edhe Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për të dëshmuar diçka që e përcakton edhe Kushtetuta jonë: se Presidenti duhet ta mbrojë dhe përfaqësojë gjithë popullin, e jo të bëjë anësi e ndarje, siç na është shfaqur jo rrallëherë deri më tani.
Murat Jashari jo vetëm që gëzon respekt dhe dashuri nga të gjithë shqiptarët, por prania e tij do të ndikonte që edhe faktori dhe personalitetet ndërkombëtare të kishin një qasje shumë më të matur. Vetë historia dhe prezenca e një pinjolli të familjes Jashari do t’i detyronte ata të reflektonin me më shumë sinqeritet; së paku do të ndaleshin një herë më shumë, sepse do ta dinin se përballë kanë luftën, sakrificën, rezistencën dhe gjithë historinë tonë të lavdishme.
E keni sërish në dorë të bëni diçka të madhe për Republikën tonë të re vetëm me një emërim. Ia keni borxh këtij populli. Bëhuni një herë përbashkues. Mos e vazhdoni namin e interesave klanore e grupore.
Me këtë gjest do ta zbutnit gabimin e paraardhësve tuaj politikë, të cilët nuk e emëruan President “orën e madhe” të shqiptarisë, bacën Adem Demaçi.
P.S.
Mos t’ju shkojë ndër mend se Murat Jashari do t’ju bjerë në gjunjë apo do t’ju shtrijë dorën për postin e Presidentit!



