Trumpi: Nuk ma dhatë Nobelin, s’kam detyrim të mendoj më vetëm për paqen

19 janar 2026 | 13:32

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkaktuar tronditje mes aleatëve të NATO-s pas një letre të pazakontë drejtuar kryeministrit të Norvegjisë, Jonas Gahr Store, ku ka deklaruar se “nuk ndihet më i detyruar të mendojë vetëm për paqen”, pasi nuk u është dhënë Çmimi Nobel për Paqe.

Letra, e konfirmuar si autentike nga vetë kryeministri norvegjez, lidhet drejtpërdrejt me kërcënimet e Trumpit për të marrë nën kontroll Groenlandën dhe për të vendosur tarifa të rënda tregtare ndaj vendeve europiane.

“Kam bërë më shumë për NATO-n se çdo person tjetër që nga themelimi i saj, dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara”, është thënë se ka deklaruar ai, duke shtuar: “Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi Kontroll të Plotë dhe Total mbi Groenlandën”.

Trumpi po i përgjigjej një letre  të Stores, i cili kishte shprehur kundërshtimin e tij ndaj propozimit për të vendosur tarifa eksporti ndaj atyre që janë të gatshëm të mbrojnë ishullin, përfshirë Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“I dashur Jonas: Duke qenë se vendi juaj vendosi të mos ma japë Çmimin Nobel për Paqe për faktin se kam ndalur më shumë se 8 luftëra, nuk ndiej më detyrimin të mendoj vetëm për Paqen, edhe pse ajo do të mbetet gjithmonë mbizotëruese, por tani mund të mendoj edhe për atë që është e mirë dhe e drejtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Danimarka nuk mund ta mbrojë atë tokë nga Rusia apo Kina. Dhe, pse vallë kanë ata ‘të drejtën e pronësisë’? Nuk ka dokumente të shkruara. Është vetëm fakti që një anije zbarkoi aty qindra vite më parë, por edhe ne kishim anije që zbarkonin aty”, citohet të këtë thënë Trumpi.

Tabloidi norvegjez “VG” ka pretenduar se ka folur me kryeministrin Store, i cili ka konfirmuar se letra është autentike. Kryeministri ka thënë gjithashtu se i ka bërë me dije Trumpit vazhdimisht se dihet botërisht që qeveria norvegjeze nuk vendos se kush e fiton Çmimin Nobel për Paqe.

Sipas Trumpit, Danimarka nuk ka aftësi ta mbrojë Groenlandën nga Rusia apo Kina, ndërsa ai e konsideron kontrollin amerikan mbi ishullin si thelbësor për sigurinë globale, shkruan “A2 CNN”.

Presidenti amerikan ka paralajmëruar vendosjen e tarifave fillimisht 10 për qind e më pas 25 për qind ndaj disa vendeve të NATO-s, derisa, sipas tij, të arrihet një “marrëveshje për blerjen e plotë të Groenlandës”.

Deklaratat kanë nxitur reagime të ashpra nga liderët evropianë. Kryeministri britanik Keir Starmer i ka cilësuar këto kërcënime “krejtësisht të gabuara”, ndërsa Bashkimi Evropian po shqyrton përdorimin e instrumenteve të forta tregtare kundër ShBA-së. Protesta janë zhvilluar edhe në Groenlandë, ku qytetarët kanë deklaruar se ishulli “nuk është në shitje”. Kriza rrezikon seriozisht unitetin e NATO-s dhe marrëdhëniet transatlantike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo e ka fituar sërish gjyqin kundër Juventusit. Sipas…