Skitarët Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore 2026

19 janar 2026 | 20:30

Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se skitarët Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”.

Sipas njoftimit, Kiana Kryeziu ka përmbushur kriteret bazë të kualifikimit në tri disiplina të skijimit alpin: sllallom, sllallom të madh dhe super sllallom të madh, në të cilat edhe do të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore që do të mbahen në Itali. Ndërkohë, Drin Kokaj ka siguruar kualifikimin për disiplinën e sllallomit.

Në garë për kualifikim ishin edhe skitarët Lirika Deva, e cila i plotësoi kriteret në sllallom dhe sllallom të madh, si dhe Vokshi në sllallom të madh. Megjithatë, bazuar në rregullat olimpike, Kosova mund të përfaqësohet me nga një garues për secilën gjini. Në këtë proces përzgjedhjeje, Kryeziu u përzgjodh për shkak të kualifikimit në më shumë disiplina, ndërsa Kokaj u përzgjodh pasi kishte pikë më të ulëta krahasuar me Vokshin në disiplinën e sllallomit.

Kiana Kryeziu ka përvojë olimpike, pasi e ka përfaqësuar Kosovën edhe në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”. Për Drin Kokajn, paraqitja në “Milano Cortina 2026” do të shënojë debutimin e tij olimpik.

Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026” do të mbahen nga 6 deri më 22 shkurt 2026.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më datë 19.01.2026, rreth orës 02:12, në fshatin Poslishtë, Prizren…