Llapi shet një tjetër futbollist, Ardit Tahiri kalon te Kolos Kovalivka
Futbollisti Ardit Tahiri është bërë me skuadër të re gjatë afatit kalimtar të janarit. Skuadra e Superligës së Kosovës përmes rrjeteve sociale ka njoftuar publikun se Tahiri është transferuar te skuadra ukrainase, Kolos Kovalivka.
“KF Llapi njofton opinionin publik dhe tifozët se ka arritur marrëveshje me klubin Kolos Kovalivka për transferimin e futbollistit Ardit Tahiri. Marrëveshja e arritur mes dy klubeve është e favorshme për KF Llapi edhe në aspektin financiar, ndërsa klubi ynë do të mbajë 25 për qind të kartonit të lojtarit, si pjesë e marrëveshjes për një transferim të ardhshëm të mundshëm”, ka njoftuar KF Llapi.
Te ekipi ukrainas luan edhe ish-lojtari tjetër i Llapit, dhe përfaqësuesi i Kosovës, në fazën e mbrojtjes, Ilir Krasniqi.
Ardit Tahiri ka qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm të ekipit tonë në Superligën e Kosovës, duke u renditur në top 10-shen e golashënuesve më të mirë në historinë e klubit në elitë. Gjatë paraqitjeve të tij me fanellën bardhekaltër, Tahiri ka zhvilluar 44 ndeshje zyrtare, në të cilat ka realizuar 19 gola dhe ka kontribuar me 4 asistime. Në pjesën vjeshtore të sezonit aktual, futbollisti ishte i huazuar te klubi HJK Helsinki, ku ka fituar përvojë të rëndësishme ndërkombëtare.
Javën e kaluar nga skuadra është larguar kapiteni Axel Gnapi në drejtim të kampionatit rus.



