“Pa ne, njerëzit në Evropë do të flisnin gjermanisht dhe japonisht” – Trump: Danimarka s’mund të mbrojë veten, e jo më Groenlandën
Presidenti amerikan Donald Trump u shfaq në skenën e Forumit Ekonomik Botëror në Davos mes duartrokitjeve, duke mbajtur një fjalim të fortë, sidomos për çështjen e Groenlandës dhe rolin e SHBA-së në sigurinë europiane.
Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rol kyç në mbrojtjen e Europës, duke rikujtuar ndërhyrjen vendimtare amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara fituan Luftën e Dytë Botërore dhe “pa ne njerëzit në Evropë do të flisnin gjermanisht dhe japonisht”.
“Kam respekt të madh për popullin e Groenlandës dhe Danimarkës, por çdo vend i aleancës duhet të mbrojë territorin e vet dhe asnjë vend nuk është në pozicionin për të mbrojtur Groenlandën siç është SHBA-ja. Ne jemi një fuqi e madhe, e kemi treguar në Luftën e Dytë Botërore, kur Danimarka s’mund të mbronte dot veten dhe Groenlandën; SHBA dërgoi forcat e saj në territorin e Groenlandës dhe ata nuk patën më shans që ta merrnin. Danimarka e di këtë. Ne kemi ngritur baza, kemi luftuar për Danimarkën, për ta shpëtuar atë vend. Një vend, një copë e madhe akulli, por ne e shpëtuam. Nuk lejuam armiq në hemisferën tonë dhe pas luftës, të cilën e fituam. Pa ne, ju do të flisnit gjermanisht dhe japonisht ndoshta. Ne ia kthyem Groenlandën Danimarkës; sa budallenj u treguam, dhe ata janë mosmirënjohës”, tha Trump.



