Banorët e ‘Simon Shirokës’ ankohen për problemet e parkimit, Prishtina Parking arsyetohet me vendimin e Gjykatës

22 janar 2026 | 00:37

Banorët e rrugës “Simon Shiroka” në kryeqytet kanë protestuar sot më 21.01.2026, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me problemet e parkimit dhe qasjes së sigurt në lagje, duke ngritur dyshime se persona që nuk janë rezidentë janë pajisur me kartela parkimi rezidenciale.

Sipas banorëve, kjo situatë po ua pamundëson rezidentëve të lagjes që të gjejnë hapësira për parkim, duke shkaktuar tollovi dhe pritje të gjata, veçanërisht në orët e pikut.

Kryetarja e lagjes, Violeta Hasani, tha se pakënaqësitë e qytetarëve janë të shumta dhe se, sipas tyre, kartelat rezidenciale po u jepen edhe personave që nuk banojnë në këtë zonë.

“Ka pakënaqësi të shumta nga banorët, të cilët kanë identifikuar se qytetarë që nuk janë banorë të kësaj lagjeje janë pajisur me kartela si banorë rezidencialë nga Prishtina Parking. Kjo ua pamundëson banorëve rezidentë të parkojnë veturat e tyre, sepse kemi njerëz që vijnë nga zona të tjera”- tha Hasani.

Për të gjitha këto shqetësime të banorëve të rrugës “Simon Shiroka”, KALLXO.com është drejtuar për të marrë sqarime në Prishtina Parking.

Sa i përket pretendimeve se parkingu po shfrytëzohet nga persona jo-rezidentë, ata deklarojnë se kontratat e rezidentëve lëshohen vetëm mbi bazë të dokumentacionit valid dhe për banorët që plotësojnë kriteret e përcaktuara. 

Sipas tyre, të gjithë banorët të cilët janë të regjistruar në sistemin e Ndërmarrjes, janë regjistruar me dokumentacion të plotë dhe për t’u pajisur me kontratë të rezidentit, aplikuesi duhet të sjellë dokumentacionet të cilat konfirmojnë rezidencën dhe pronësinë e autojmetit, të cilat janë: certifikata e tatimit në pronë, leja e vlefshme e qarkullimit dhe pronësia e automjetit si person fizik./kallxo.com/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë përfunduar ndeshjet e fundit të javës shtatë të Champions…