Prokuroria në Prizren: 109 të ndaluar për manipulim të votave
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë me dije të premten se 109 persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Autoritetet kanë thënë se të ndaluarit janë komisionerë dhe në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.
Gjatë një konference për medie, Kryeziu ka thënë se i gjithë manipulimi ka ndodhur në Qendrën Komunale të Numërimit dhe janë prekur votat e kandidatëve për deputetë.
Sipas tij, një manipulim i tillë nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike. “Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40 497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27 520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68 017 vota”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka thënë se vetëm një vendvotim, apo një klasë, ka dalë që nuk i ka pasur votat e keqpërdorura, teksa numri i votave të falsifikuara për një kandidat ka arritur në mbi 6 000.
Ky aksion vjen pas dyshimeve se ka pasur manipulime të mëdha me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Kjo madje e ka detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta nisë rinumërimin e plotë të votave, i cili është duke vazhduar tash e disa ditë.
Në fillim të muajit, komisioni gjeti mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë pas një hetimi fillestar dhe më pas zbuloi gjatë rinumërimit të pjesshëm se dallimet në vota ishin të mëdha. Si pasojë, prokurorët filluan të mblidhnin të dhëna lidhur me dyshimet për manipulime të mundshme me vota, ndërsa komisioni e shkarkoi përfaqësuesit politikë në komisionin e vet komunal në Prizren.
Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim. Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, ka publikuar një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba. Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ka fituar i zgjedhjet e 28 dhjetorit me mbi 51 për qind të votave. Ajo pritet të ketë 57 ulëse në legjislaturën e dhjetë dhe ta formojë qeverinë e re, por shkuarja në rinumërim, i cili nuk pritet të ketë ndikim tek votat e partive dhe mund ta zvarrit procesin.



