Poezi nga Robert Burns

26 janar 2026 | 08:23

Robert Burns (1759-1796)

 

Në mal e kam zemrën

 

Në mal e kam zemrën dhe mendjen në mal,

E ndjek dhinë e egër, bri shpatit i dal

Vrapoj pas sorkadhes dhe tremb një drenushë,

Në mal e kam zemrën dhe trupin në fushë.

 

Të lë lamtumirën, i shtrenjti Veri,

Atdhe i stërgjyshërve trima të mi.

Më ndjek fatii hidhur me duart në fyt,

Por mbetem përjetë si dje biri yt!

 

Të lë lamtumirën, ty mal e ty shpat,

Të lë lamtumirën, luginë e livadh!

Të lë lamtumirën, zabeli me yje

Dhe thirrje e përrenjve që zbresin në pyje.

 

Në mal e kam zemrën dhe mendjen në mal,

E ndjek dhinë e egër, bri shpatit i dal,

Vrapoj pas sorkadhes dhe tremb një drenushë,

Në mal e kam zemrën dhe trupin në fushë.

 

Shqipëroi: Dritëro Agolli

 

Në fusha dimri borën shtroi

 

Në fusha dimri borën shtroi,

O shpirti im

Thesari im!

Të kem një pallto të të mbroj

Nga çdo thëllim,

Nga çdo mjerim!

 

Nëse të pret i ligu short

Dhe vjen me ty,

Dhe vjen me ty,

Mjerimin, shpirt, ta ndajmë tok

Më dysh të dy,

Më dysh të dy.

 

Sikur të futem në përrenj

Ku muzgu nxin,

Ku nata nxin,

Patjetër diellin do ta gjej

Me shpirtin tim,

Thesarin tim.

 

Madje dhe botën me tallaz,

Me lot në sy,

Me mall në sy,

Do ta pushtonim plot me gaz

Veç ne të dy,

Veç ne të dy!

 

Shqipëroi: Dritëro Agolli

 

Dashuria dhe varfëria

 

Më ndoqi dashuria bashkë

Me varfërinë e shkretë;

Në shteg të tyre herët rashë,

Më zunë shpejt në rrjetë.

 

Po varfërinë e zboj, e tremb

Dhe s’ka më varfëri,

Veç dashurinë dot s’e shemb,

Se mbetet dashuri!

 

Pse dashurisë si pengesë

I del përpara ndarja?

Dhe pse të mbetet robëreshë

Nga smira dhe nga parja?

 

Dhe pasuria dhe hambari

Pak lumturi na japin,

Por frikacaku dhe truthari

Pushtetin shpejt e kapin!

 

Më flet me sy për dashurinë,

Kur humb mes përqafimit,

Ndërsa me buzët ftohtësinë

Ma shfaq përmes gjykimit.

 

Më këshillon të jem i matur,

Të kem dhe pak durim,

Siç duket, pret një oxhak të pasur

Dhe s’pret oxhakun tim!

 

Po si ta mbaj gjakftohtësinë,

Kur jemi pranë e pranë,

Kur dy vështrime dashurinë

Burim të vetëm kanë?

Veç fukarai ka lumturi

Me vashëzën e dashur,

Ai s’ka smirë e s’ka zili

Për derë e rang të pasur.

 

Ah, dashurinë ç’e pengon

Ky fati i lig tiran!

Dhe gonxhe e saj pse s’lulëzon

Pa pasuri dhe nam.

 

Shqipëroi: Dritëro Agolli

 

Ankim dashnori

 

Ju brigje t’êmbla të Dun-it

qysh mund të lulëzoni?

Qysh, vall’, kur unë heq e vuaj,

ju zogjë, ligjëroni?

 

Ma grise zêmrën, zoçk e bukur,

që poi a merr mbi pemë!

Ti më kujton nji mot të lumtur

kur miku s’ish i rremë.

 

Ma çorê zemrën, zoçk’ e bukur,

që dredh me shokun kênge!

Ashtu si ti nji dit’ un rrija

pa dijtur këtë brengë.

 

K’tu dendur bridhja, hurthin shihja

të derdhur tok me drunë.

Për dashurí çdo zog këndonte.

Ashtu bêja ‘dhe unë.

 

Nji trandafil nga gjembat zgjodha

me zêmrën gjithë gas.

Ashtu ma vodhi lulen miku

por gjêmbin më la pas.

 

Shqipëroi: Arshi Pipa

 

Këngë lamtumire brigjeve të Erit

 

Një natë të errët mbledhur tok

e egra erë po frynte fort

dhe pashë të zezë, me shi, një re

mbi fushë po hiqej zvarrë atje,

një çast gjahtari lë kënetën

ndjen siguri në breg i vetëm,

ndërsa unë vetëm nëpër terr

s’kam frikë nga bregu yt, o Er!

 

Kur për të vjelat vjeshta nis

vjen dimri befas, gjithçka gris:

në qiell’ e pastër e të qetë

furtunën sheh të mbledhë retë,

e ftohta gjakun tim mbulon

një dallgë shtrëngate më mundon.

ç’guxim, do duhej këtë herë

tek bregu yt i mir’, o Er!

 

Them: “Dallg’ mos ngri me zhurm’ përpjekur”,

them: Mos godit në breg të vdekur!”

të vdekjes rrugë kudo ti ndjek,

fatkeqit frikë më mos i jep,

dhe zemrën time bërë fërtele

o lumë, ma lidh ti si kordele;

po gjak, kordele, unë i çjerr,

se bregun tën po lë, o Er!

 

Tu mirë të le ty fush e gjerë,

këneta, gryka, ku fryn erë,

ku arratisem shpesh me mend

pas dashurisë që më çmend,

miq lamtumirë, armiq, për kaq

lë dashuri për ju, lë paq,

me lot të nxehtë që zemrën merr,

ty lamtumirë, o lumi Er!

 

Përktheu: Dhori Qiriazi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FUNDI I NJERIUT   Zog i zi i vogël pret…