Sondazh nga “Reuters”: Mbështetja për politikat e Trumpit për migrimin bie në nivel rekord

27 janar 2026 | 07:55

Mbështetja e amerikanëve për politikat e presidentit Donald Trump rreth migrimit ranë në pikën e tyre më të ulët që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, sipas një sondazhi nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos”. Shumica e të anketuarve thanë se shtypja ndaj imigrimit ka shkuar tepër larg.

Sondazhi i zhvilluar në nivel vendi nga e premtja deri të dielën grumbulloi përgjigje para dhe pas rastit të së shtunës, kur oficerët e migrimit e vranë qytetarin e dytë amerikan në Minneapolis gjatë përleshjeve me protestuesit për shkak të dislokimit të agjentëve të migracionit nga Trumpi në qytete të ndryshme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Vetëm 39 për qind e amerikanëve e mbështesin punën që është duke e bërë Trumpi rreth migrimit, nga 41 për qind sa ishin më herët këtë muaj, ndërsa 53 për qind nuk përkrahin një politikë të tillë, sipas rezultateve të sondazhit.

Imigrimi ishte një pikë e fortë për popullaritetin e Trumpit në javët e para pas kthimit të tij në pushtet. Në shkurt, 50 për qind e përkrahnin punën e tij në këtë fushë, ndërsa 41 për qind e të anketuarve ishin të pakënaqur.

Mbështetja e përgjithshme për Trumpin ra në 38 për qind, duke u dobësuar nga 41 për qind sa ishte në sondazhin paraprak nga “Reuters” dhe “Ipsos” më 12 e 13 janar.

58 për qind e të anketuarve thanë se agjentët e migrimit kanë shkuar “shumë larg” në fushatën e tyre shtypëse, ndërsa 12 për qind thanë se agjentët nuk kanë shkuar mjaftueshëm larg.

Në sondazh morën pjesë 1139 të rritur amerikanë dhe margjina e gabimit është rreth 3 për qind./Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është shtëpi e pabanuar, por deri para dy ditësh, ishte…