PA DREJTËSI, NUK KA PAJTIM

12 tetor 2026 | 18:01

Çdo viktimë e luftës në Kosovë, pa asnjë dallim kombësie, meriton drejtësi të plotë…

Shkruan: Ismet Hajrullahu

Sidoqoftë, procesi gjyqësor i zhvilluar në Gjykatën e Hagës ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk ka treguar pavarësi dhe paanësi.
Ky dështim vërehet qartë në shkeljet e shumta gjatë gjykimit dhe në anashkalimin e historisë së luftës, fakte këto që nuk mund t’i injorojë askush që kërkon të vërtetën.
Nga pikëpamja ligjore, kjo gjykatë ka krijuar rregulla të rrezikshme që shkelin të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e të akuzuarve. Mbajtja e tyre në paraburgim për shume vite rresht përpara se të jepet një vendim, është në kundërshtim të plotë me rregullat evropiane për të drejtat e njeriut.
Për më tepër, numri i madh i dëshmitarëve të fshehur dhe fshirja e pjesëve të rëndësishme në dokumente, kanë dëmtuar rëndë mbrojtjen. Kjo i ka penguar të akuzuarit të përballen si të barabartë me akuzat e prokurorisë. Realisht, gjykata e nisi punën me qëllimin për të hetuar akuzat për trafikim organesh nga raporti i Dick Marty. Pasi ato akuza u vërtetuan se ishin të rreme, prokuroria ndryshoi tërësisht drejtim duke ngritur akuza ndaj të gjithë udhëheqjes së UÇK-së me pretendimin se kishin një ”plan,, të përbashkët për krime.
Faktin që udhëheqja nuk kontrollonte dot çdo njësi në terren e dëshmuan gjatë gjyqit edhe zyrtarët e lartë amerikanë si James Rubin, Christopher Hill dhe ish-komandanti i NATO-s, gjenerali Wesley Clark.
Përveç shkeljeve në procedurë, ky institucion ka bërë një ndarje të padrejtë në vlerësimin e historisë. Duke gjykuar vetëm njërën palë në konflikt, gjykata ka treguar njëanshmëri dhe ka harruar se krimet në Kosovë u bënë nga ushtria dhe policia e Serbisë, e cila kishte një plan shtetëror për të dëbuar dhe zhdukur popullin shqiptar.
Dënimi i udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të një lufte çlirimtare është një përpjekje e gabuar për të barazuar shtetin sulmues me viktimat që mbrojtën shtëpitë e tyre.
Këtë luftë për liri e mbështeti edhe e tërë bota demokratike së bashku me NATO-n.
Ndërsa krerët e UÇK-së dënohen rëndë nga kjo gjykatë njëetnike, ekzekutues të masakrave dhe kriminelë të pashpirt që morën pjesë direkt në vrasjet e civilëve shqiptarë dhe në krimet e dhunës seksuale vazhdojnë të jetojnë të lirë në Serbi.
Edhe pse Tribunali i kaluar i Hagës dënoi disa nga krerët më të lartë të Beogradit si Nikola Shainoviq, Nebojsha Pavkoviq dhe Vllastimir Gjorgjeviq, sistemi aktual i drejtësisë po dështon të ndjekë penalisht pjesën tjetër të kriminelëve serbë në terren, duke lënë mijëra viktima pa drejtësi të plotë.
Një gjykatë që përdor standarde të dyfishta, që nuk lejon mbrojtje të rregullt dhe që nuk pranon faktin se mbi një popull u bë gjenocid, nuk sjell paqe, por krijon padrejtësi të reja. Vendimi i parë duhet të ndryshohet tërësisht në Gjykatën e Apelit për të kthyer besimin te ligji dhe e vërteta.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas postimeve të…