Një vit jetë pa institucione – gjashtë vjet jetë pa shpresë!

12 tetor 2026 | 14:42

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Në kohën kur shtetet me një qëndrueshmëri afatgjate ekonomike që siguron mirëqenie për qytetarë, me një traditë të etabluar politike, demokraci të konsoliduar, mjedis social të shëndoshë përballen me kriza qeveritare dhe ndërrime të shpeshta të qeverive, p.sh. Italia dhe shtetet nordike është joserioze që të pritet nga Kosova ta marrë flamurin e vlerave të qytetërimit modern, por, siç thuhet: “qefi është më i madh se Stambolli ..”. Prandaj, shpejtë nxehemi ndërsa edhe më shpejtë ftohemi. E kemi trashëguar dhe me pasion e këmbëngulësi e zbatojmë “filozofinë e teneqesë”. Karl Marksi e pati lënë një të përjetshme se: “baza materiale përcakton superstrukturat tjera …” . Topi nuk e luan. Në Kosovë dhe tokat tjera ku jetojnë shqiptarët na ka munguar pikërisht baza materiale prandaj superstrukturat janë ndërtuar si shtëpi prej llaqi dhe kashte, ta them figurativisht. Supertstruktura kryesore apo alfa dhe omega e të gjitha supetstrukturave është arsimi e që për ne është “Thembër e Akilit”. Pa arsim cilësorë nuk ka asgjë; as ekonomistë, mjekë, inxhinierë, shkencëtarë, mësues, juristë, profesorë, shkrimtarë, sportistë dhe profile tjera që i japin shpirtin, mendjen dhe bazën e shtetit dhe kombit. Kosova e pas luftës i kishte këto në numër dhe letër por që ishin larg standardeve të shteteve të zhvilluara. Kosova në këtë periudhë kishte me bollëk vetëm politikanë, kushtimisht t’i quajmë politikanë!
Kosova, si asnjë vend i rajonit që doli nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, kaloi nëpër një tranzicion të gjatë dhe jonormal i kushtëzuar nga hipoteka e së kaluarës, mujsharëve ndërkombëtarë, ndërhyrjes së vazhdueshme të Serbisë, krizave rajonale dhe globale dhe më së shumti mungesa e një elite intelektuale e cila do ta krijonte një elitë politike, si conditio sine qua non për të qenë konkurruese në tregun ndërkombëtar të allishverisheve politike.
Në rrethana ku antivlera u shndërrua në vlerë, mungesa e çdo morali në udhëzues të sjelljes morale, ndryshku në shkëlqim, e vërteta në gënjeshtër, virtyti në ves, intelektuali në mediokër, i dituri në llaskuc, besniku në mashtrues, as politikani, si specie më e përhapur në Kosovë dhe shqiptari, si bari i keq, nuk mund të bënte përjashtim duke u shndërruar në çdo gjë tjetër përveç asaj për çka e ka kërkuar besimin e qytetarit – votuesit. Vlerat e mirëfillta mbetën pakicë absolute e që për dallim nga pakicat kombëtare që mbroheshin me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare, komuniteti i pakicës intelektuale në Kosovë u trajtua si “pëllumb prej argjili” ndaj të cilit pa asnjë përgjegjësi shtinin të gjithë, pa përjashtim dhe pa iu nënshtruar asnjë pasoje ligjore, ndërsa përgjegjësia morale për ta ishte e panjohur dhe “mollë e ndaluar”. Në vend që intelektualët e vërtetë t’i japin kuptim jetës, ata luftonin për mbijetesë. Neronët e pushtetit i trajtonin si gladiatorë! Në këto rrethana u shkollua dhe u formua si intelektual edhe Albinot Maloku autor i librit: “Një vit jetë pa institucione” që kohë më parë e pa ditën në terrin e quajtur Kosovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i përfundoi në Kosovë kurse fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë. Magjistroi dhe tani është afër doktoraturës në fushën e së drejtës ndërkombëtare. Përcjellës i vëmendshëm i proceseve dhe zhvillimeve politike në Kosovë, Shqipëri dhe vende ballkanike, analist i pavarur, studiues i stërholluar dhe intelektual me kurriz jo vetëm si shprehje anatomike por me një integritet moral dhe profesional të palëkundur dhe të pathyeshëm, në vende normale nuk do të kishte nevojë për mësit që ta “martojë” me një post a detyrë. Në Kosovë, së paku deri më tani cilësimet, unë them vlerat që i ka Albinot Maloku, më shumë janë pengesë sesa përparësi gjë që e ka provuar në lëkurën e tij, jo vetëm një herë. Mirëpo, Albinot Maloku nuk është rrëzuar asnjëherë, nuk ka shpenzuar asnjë cent për të blerë sapun për larje të fytyrës dhe ndërgjegjes intelektuale, për ta drejtuar kurrizin siç ia ka falur Zoti dhe integritetin profesional prandaj u konsiderua si non grata nga thuaja të gjitha qeveritë dhe regjimet në Kosovë, pa përjashtim.
Në librin: “Një vit jetë pa institucione”, autori, Albinot Maloku, si Evlija Çelebija dhe Marko Polo përshkruan atë çka ka parë dhe dëgjuar gjatë rrugëtimit të tij nga viti 2021 ( viti i kthesës dhe i shpresës ) deri para një viti në Kosovë. Sepse shkruan për një vit jete pa institucione ndërsa realisht ishin dy.
Është paradoks i llojit të vet që ngjarjet përkatësisht zgjedhjet e 21 shkurtit 2021 merren dhe konsiderohen si një rrugë e re, e shtruar me lule dhe pikënisje – pikësynim drejt një parajse jetësore e që, kinse na ishte mohuar nga “shkatërruesit” e shtetit, hajnat, kriminelët, vrasësit që e paskan kapë shtetin duke e shndërruar Kosovën në tokë të pajetueshme anipse në atë kohë u shpallë pavarësia, u siguruan mbi 120 njohje duke i siguruar Kosovës një letërnjoftim ndërkombëtar. U ndërtua një infrastrukturë rrugore dhe jo vetëm rrugore që nuk e kishte asnjë shtet në Ballkan, treguesit ekonomikë dëshmonin për një qëndrueshmëri sikur që kishte edhe një stabilitet politik. Lëvizja anarkiste “Vetëvendosje” mbante flamurin në luftë për zhvleftësim të çdo të arriture duke i shpallur luftë krahut të luftës në emër të një floskule populiste dhe duke manipuluar me sentimentin më ndikues te shqiptarët; bashkimin kombëtar dhe simbolet kombëtare. Një armatë e tërë iu bashkua; pjella e mendësisë jugosllave dhe serbe që zotëronin hapësirën mediatike, ekonominë dhe diskursin politik, ata që ishin kundër luftës çlirimtare me bindje dhe veprim, oportunistët, idealistët e dëshpëruar dhe ata që besonin se ka ardhë koha për ndryshim dhe se ndryshimin nuk mund ta bëjnë “kalorësit e lodhur …”. Këta ishin qëllimmirë dhe mendoj se këtu ka qenë edhe Albinot Maloku. Por, rruga drejtë mirëqenies ekonomike dhe stabilitetit institucional nuk është i shtruar me qëllime të mira por duhet dije, përkushtim, profesionalizëm dhe integritet. E asnjërën prej tyre nuk e ka pasur LVV me partnerë. Prandaj doli libri i Albinot Malokut.
Libri i Albinot Malokut përbëhet nga dy pjesë; Pjesa e parë përshkruan rrugëtimin e proceseve që e lënë vendin pa institucione dhe, Pjesa e dytë përbëhet nga intervistat që i dha autori mediave elektronike dhe të shkruara, shqipfolëse dhe të rajonit për zhvillimet politike brenda dhe në rajon.
Albinot Maloku, si magjistari që ecën në trapez përpiqet dhe arrin të ruaj një neutralitet midis pozitës dhe opozitës duke mos anuar nga asnjëra palë ndërkaq në asnjë moment nuk e vë në mëdyshje integritetin profesional dhe intelektual. Këtë integritet e vë në përdorim për subjektet politike duke iu ndihmuar të gjejnë rrugë drejtë kompromisit. Të kishte së paku për kënd!
Me kalimin e kohës, qëllimmiri Maloku i bind se kapja e dikurshme nuk u materializua me çkapje të tashme. Përkundrazi! Se bashkimi kombëtar ishte mashtrim për marrje të pushtetit, se korrupsioni dhe nepotizmi nuk janë vese por vyrtyte shkaku se janë më të mira se ato të “shkatërruesve të shtetit..”. Se nëna parti është mbi shtetin dhe vet shteti. Dhe shumë se të tjera.
Me këtë libër Albinot Maloku e la një dëshmi të një manipulimi eklatant të masave si mjet për marrje dhe qëndrim në pushtet nga një subjekt politik i ndërtuar kinse mbi parime dhe moral. Libri e dëshmon të kundërtën, mungesë të çdo morali dhe shkelje të çdo parimi. Një makiavelizëm të kulluar folklorik dhe populist.
Albinot Maloku ndjehet i dëshpëruar dhe dëshiron të arratiset nga ky realitet por nuk di ku të shkojë, i mungon adresa ku do të jetësojë pikëpamjet e tij mbi shoqërinë, politikën dhe demokracinë. Është midis Skilës ( pozitës ) dhe Haridbës ( opozitës ). Rrezik andej, rrezik këndej, rrugëtim nëpër pasiguri.
Në këto rrethana edhe e shkruan librin, ta qetësojë shpirtin krijues! A e ka arritur këtë? Besoj se po.
Për fund besoj se nuk ka qenë …një vit jetë pa institucione por një vit me institucione që nuk do t’i dëshironte asnjë shtet apo qeveri normale. A nënkupton kjo se nuk kemi as shtet e as qeveri normale? Është çështje të shijes dhe dijes!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shqipëria dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim në…