’22 për qind më lirë’, nisma e re në Shqipëri, Rama: Për mbi 200 artikuj, çmimet nuk ndryshojnë për tre muaj
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, të cilat synojnë lehtësimin e shpenzimeve të përditshme për familjet shqiptare përmes bashkëpunimit mes qeverisë, supermarketeve dhe furnitorëve.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka theksuar se marrëveshja me pesë subjekte të rëndësishme të tregtimit të ushqimeve parashikon çmime të arsyeshme dhe të pandryshueshme për një sërë produktesh deri më 12 janar të vitit të ardhshëm.
Sipas kryeministrit, nisma vjen në një kohë kur rritja e kostove po prek konsumatorët në mbarë botën, raporton “Top Channel”.
Rama ka bërë të ditur se aktualisht në këtë nismë janë përfshirë mbi 200 artikuj, ndërsa synimi është që numri i tyre të arrijë në 1.000 deri në fund të vitit.
Ai është shprehur se procesi do të zgjerohet edhe me subjekte më të vogla dhe pika të shitjes me pakicë, me qëllim përfshirjen e sa më shumë aktorëve të tregut.
Çmimet e produkteve të përfshira në marrëveshje do të kenë ulje mesatare prej 20 deri në 22 për qind deri më 12 janar, ndërsa për disa produkte ulja do të arrijë deri në 40 për qind.
“ Së pari, dua të them se më vjen shumë mirë që e realizuam këtë objektiv të parë pa pasur nevojë për asgjë më shumë sesa mirëkuptim. E gjetëm mirëkuptimin duke rënë dakord se, në fund të ditës, sot është një kohë kur duhet parë përtej fitimit ditor dhe kur respekti për qytetarin, respekti për konsumatorin, materializohet edhe në formën e vetëdijes. Në kushtet e një presioni të përgjithshëm mbi ekonominë, që nuk ka të bëjë fare me arsye të brendshme, por që ka përfshirë botën mbarë, dhe të rritjes së kostove, që në tërësi janë karakteristikë e të gjitha vendeve, duhet bërë një hap përtej asaj vije tradicionale ndarëse mes atij që shet dhe atij që blen. Duhet gjetur një rrugë për të ofruar një mundësi më shumë për njerëzit që kanë më shumë vështirësi. Sot, pikërisht falë këtij mirëkuptimi dhe ndërveprimit të këtyre pesë subjekteve të rëndësishme në tregtinë e ushqimeve në Shqipëri, jemi praktikisht me këtë pasqyrë në dorë, Pasqyrën e Çmimeve, dhe me këtë marrëveshje për një sërë artikujsh, të cilët do të kenë një çmim të arsyeshëm dhe të palëvizshëm deri më 12 janar të vitit të ardhshëm. Në këtë periudhë, që, siç thashë, karakterizohet nga një presion i përgjithshëm mbi ekonomitë e të gjitha vendeve, dhe ku, siç e tha edhe ministrja, vende të ndryshme që ne i kemi studiuar me kujdes kanë marrë nisma të ngjashme, nëse qeveritë e atyre vendeve e kanë gjetur gjuhën e përbashkët me tregtarët, nuk ka asnjë arsye që të mos e gjejmë edhe ne fjalën mes nesh. Dua t’i falënderoj subjektet dhe përfaqësuesit e tyre, si dhe ata që janë këtu bashkë me ne, sepse kanë qenë zëdhënësit dhe zëdhënëset e këtyre subjekteve për këtë arritje jo të vogël”, ka deklaruar Rama.



