Bajrami kritikon ekzekutimin e investimeve kapitale: Ku shkuan paratë?

12 tetor 2026 | 12:07

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e ka kritikuar qeverinë për nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale, duke thënë se nga rreth një miliard euro të planifikuara për vitin 2026, deri më 1 shtator, niveli qendror ka shpenzuar vetëm 192 milionë euro.

Në një postim në “Facebook”, Bajrami i është referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, sipas të cilave, gjatë së njëjtës periudhë, për subvencione dhe transfere janë shpenzuar 908 milionë euro nga 1.3 miliardë euro të planifikuara.

Postimi i plotë:

Një miliard euro për investime kapitale në letër, por vetëm 192 milionë euro të realizuara nga niveli qendror deri më 1 shtator!

Nëse doni ta kuptoni pse, edhe pas gati gjashtë vitesh qeverisjeje, kjo Qeveri nuk ka arritur t’i përfundojë projektet e mëdha kapitale, shikoni të dhënat e vetë Ministrisë së Financave.

Sipas këtyre të dhënave, nga rreth një miliard euro të planifikuara për investime kapitale në buxhetin e vitit 2026, deri më 1 shtator janë shpenzuar vetëm 192 milionë euro nga niveli qendror.

Ndërkohë, për subvencione dhe transfere janë shpenzuar plot 908 milionë euro nga 1.3 miliardë euro të planifikuara.

Këto shifra flasin më shumë se çdo propagandë qeveritare!

Ku janë investimet që krijojnë zhvillim ekonomik, vende pune dhe mirëqenie afatgjatë?

Qytetarët kanë nevojë për rrugë, shkolla, çerdhe, spitale e infrastrukturë, jo vetëm për miliarda të shkruara në letër.

Për të qenë shtet social, duhet të kesh një ekonomi të zhvilluar që mund ta financojë atë.

Ka vite që kjo qeveri mbështetet në të hyrat që gjeneron sektori privat, ndërkohë që investimet publike mbeten shumë prapa. Por, pa investime publike, pa infrastrukturë dhe pa kushte për zhvillimin e bizneseve, rrezikojmë ta dobësojmë këtë sektor që krijon vende pune dhe e mbush buxhetin e shtetit.

Dhe pyetja është shumë e thjeshtë: Nëse sot nuk investojmë në zhvillim, nesër prej nga do t’i marrim paratë për t’i financuar politikat sociale?

Varfëria nuk luftohet vetëm duke shpërndarë para. Varfëria luftohet duke krijuar zhvillim, punësim dhe mundësi.

P.S. Komunat, edhe pse marrin vetëm rreth 20% të buxhetit të përgjithshëm, kanë realizuar 137 milionë euro investime kapitale deri më 1 shtator.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka…