Sfidat e vjetra dhe të reja për presidenten e re
Shkruan: Avdullah Hoti
Zgjedhjet e jashtëzakonshme u shmangën. Megjithatë, përpara nesh janë zhvillime të rëndësishme politike dhe institucionale, në të cilat roli dhe angazhimi i presidentes do të përcaktojnë kursin që do të marrin këto zhvillime.
1. Sfiduese për shtetin e Kosovës do të jenë zhvillimet që lidhen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, në veçanti tani pas miratimit të ligjit për këto dhoma. Sigurisht që juristët e kanë fjalën e fundit, por çështja është shumë më komplekse sesa është paraqitur në opinion, si në aspektin ligjor dhe kushtetues, ashtu edhe në atë diplomatik. Para së gjithash, Kosova ka nevojë për një strategji të fuqishme diplomatike, në kuadër të së cilës roli i presidentes është kyç, pasi ajo përfaqëson unitetin e popullit dhe është kreu i shtetit.
2. Njohjet dhe anëtarësimet e reja të Republikës së Kosovës ka kohë që kanë ngecur. Është e ditur për secilin se absolutisht asgjë nuk mund të bëhet në këtë drejtim pa mbështetjen e aleatëve kryesorë. Raportet e Qeverisë së Kosovës me këta aleatë janë zbehur gjatë viteve të fundit dhe janë reduktuar kryesisht në komunikime me ambasadorët përkatës në Prishtinë. Prandaj, Presidentja e re duhet t’u qaset me shumë seriozitet raporteve me aleatët. Ajo duhet t’i marrë plotësisht përsipër këto raporte.
3. Kosova e ka të pezulluar dialogun strategjik me ShBA-në. Ndërkaq, Marrëveshja e Uashingtonit e shtatorit 2020, zbatimi i të cilës do të forconte partneritetin ekonomik dhe diplomatik Kosovë-ShBA, është neglizhuar njëanshëm nga Qeveria e Kosovës. Rinisja e dialogut strategjik dhe kthimi me vendosmëri te Marrëveshja e Uashingtonit janë dy hapat e parë drejt rivendosjes së partneritetit të ngushtë Kosovë-ShBA. Këta hapa janë të rëndësishëm për dy arsye madhore. E para, konsolidimi i shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare kalon përmes partneritetit strategjik Kosovë-ShBA. E dyta, avancimet që Republika e Kosovës duhet të realizojë në fushat kyçe, si: diplomacia, mbrojtja e siguria, inteligjenca dhe energjetika, nuk mund të mendohen pa mbështetjen amerikane. Këto avancime janë jetike për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e përgjithshëm politik dhe ekonomik të Republikës së Kosovës në afat të gjatë. Sërish, presidentja është e vetmja që mund të ndryshojë kursin ekzistues negativ në marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA.
4. Procesi integrues i Kosovës në BE, i cili po zhvillohet nën kushte specifike për shkak të vendeve të mbetura të BE-së që nuk e njohin Kosovën, është kurthuar nga kushtëzimi që i bëhet Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu me Serbinë. Përveç qasjes në disa fonde të BE-së, vërehet përgjithësisht neglizhencë si nga Kosova, ashtu edhe nga BE-ja, për një zbatim rigoroz të MSA-së, si instrumenti kryesor në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Takimet kryesore formale mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për vlerësimin e progresit të Kosovës në integrimin evropian, të parapara të mbahen në baza vjetore me rotacion në Bruksel apo në Prishtinë, prej kohësh nuk janë mbajtur apo janë zbehur për nga pesha dhe përmbajtja.
5. Dialogu me Serbinë ka marrë drejtim të gabuar, duke e kurthuar Kosovën me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Kurti dhe aleatët e tij qeverisës që në fillim të mandatit i kanë neglizhuar parimet e dialogut, të cilat ishin të dakorduara ndërkombëtarisht në vitin 2020, sipas të cilave: (i) dialogu zhvillohet vetëm për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke; (ii) Kosova nuk pajtohet për asgjë pa u pajtuar për të gjitha; dhe se (iii) të gjitha obligimet e Kosovës nga marrëveshjet paraprake zbatohen vetëm në kuadër të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke.
6. Reformat në drejtësi në vitet e fundit, në veçanti zhvillimet e muajve të fundit në disa prej organeve të drejtësisë, janë qartësisht të motivuara politikisht. Këto zhvillime ngrenë dilema lidhur me pavarësinë e këtyre organeve në vendimet që pritet të merren nga këto organe në lidhje me hetimet e zyrtarëve të lartë. Parimi i barazisë para ligjit në Kosovë është sfiduar shumë seriozisht me refuzimin e kryeministrit Kurti për t’iu përgjigjur kërkesës së organeve të drejtësisë për të dëshmuar, duke e dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve në organet e drejtësisë. Kjo sigurisht se do të ketë pasoja për procesin e ardhshëm eurointegrues të Republikës së Kosovës. Mbetet të shihet nëse Presidentja do të arrijë të mbrojë shtyllën e drejtësisë nga presioni i ekzekutivit dhe mazhorancës qeverisëse. Pa këtë mbrojtje nga ana e presidentes, vështirë se këto organe do t’i qëndrojnë presionit politik dhe ndërhyrjeve përmes ndryshimeve ligjore arbitrare.
7. Rendi kushtetues është sfiduar në vazhdimësi, sidomos gjatë vitit 2025 dhe vitit 2026. Duke shfrytëzuar epërsinë e numrave në Kuvend, Kurti dhe aleatët e tij e kanë shkelur Kushtetutën në vazhdimësi përmes bllokimit të themelimit të institucioneve që duhet të dalin nga procesi zgjedhor. Rasti më i fundit është moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues. Presionet mbi Gjykatën Kushtetuese kanë qenë të vazhdueshme, pasi një numër jashtëzakonisht i madh ligjesh e vendimesh të mazhorancës qeverisëse u shpallën jokushtetuese. Presidentja ka rol kyç për të mbrojtur rendin kushtetues. Para së gjithash, ajo duhet të analizojë me kujdes ligjet që miratohen në Kuvend para se t’i nënshkruajë, duke shfrytëzuar të drejtën e saj për t’ia kthyer ligjet Kuvendit kur qartësisht shihet se ka shkelje të Kushtetutës.
8. Sa i përket shërbimit diplomatik, në gjithë këto vite nuk mund të evidentohet asnjë arritje e vetme diplomatike domethënëse. Në vazhdimësi janë bërë emërime joprofesionale. Kemi parë skandale të diplomatëve, të cilat nuk janë përcjellë me masa disiplinore dhe ligjore përkatëse. Rrjeti diplomatik i Kosovës nuk është mirëmbajtur dhe nuk është zgjeruar. Diplomatët tanë nuk janë furnizuar siç duhet me objektiva diplomatike nga Qeveria e Kosovës në Prishtinë. Rrjedhimisht, angazhimet e tyre janë reduktuar në shërbim konsullor dhe ndërlidhës të thjeshtë. Ka dështim të plotë në diplomacinë ekonomike e kulturore. Në takimet vjetore në Prishtinë të diplomatëve të Kosovës mbahen ligjërime, të cilat e vënë në pikëpyetje gjithë orientimin politik të Kosovës në politikën e jashtme. Të gjitha këto janë sfidë për presidenten, e cila ka kompetenca të konsiderueshme kushtetuese e ligjore në politikën e jashtme.
Urime, zonja presidente, ju priftë e mbara në përballimin e sfidave që e presin Republikën e Kosovës.



