Flamuri, i përgjakur çetnik i Daçiçit

12 tetor 2026 | 12:10

Shkruan: Prof. Agim R. ZOGAJ

Kërcënimi serb me erë lufte

Shteti serb, qeveria serbe, pushtetarët serbë, nuk kanë të ndalur ta shfryejnë mentalitetin e tyre shovinist kundrejt shtetit të Kosovës. Vazhdojnë, me gjuhën e tyre barbare, me ideologjinë e pushtimit, ta kërcënojnë Kosovën, popullin tonë paqëdashës, përherë krenar dhe të gatshëm që ta mbroj lirinë, territorin e shtetit, pavarësinë. Kosova, asnjë institucion, asnjë individ, asnjeri, nuk po e kërcënon Serbinë fqinje, popullin serb, përkundrazi, Serbisë, qeverive serbe, pushtetarëve serbë, u themi, të mos na bëjnë pengesa në ecjen tonë drejt anëtarësimit në NATO, në BE, në Organizatat Ndërkombëtare, në UNESCO etj. Serbisë, popullit serb i themi, mos na ceno integritetin tonë territorial, mos dërgoni grupe terroriste, sikur ishte rasti i Banjskës, mos i nxitë serbët kosovar, shtetas të Republikës së Kosovës, që ta destabilizojnë, edhe me konflikte të armatosura, edhe me Srpska Listen, vendin tonë, shtetin tonë!

Përkundrazi, shteti serb, qeveria serbe, pushtetarët serbë, nuk ndalojnë së kërcënuari Kosovën, popullin tonë, lirinë tonë, paqën tonë të fituar me gjakun e dëshmorëve të UÇK-së, me luftërat tona për çlirim nga sundimi i gjatë serb! Ata nuk ndalojnë, sepse, as BE-ja nuk ua tërheq vërejtjen, lene më t’ua vë sanksione, pikërisht për kërcnimet, me erë lufte, që po i bëjnë Kosovës. Prandaj, shteti serb, përkundër kërkesave formale të BE-së për t’ia dorëzuar Kosovës, kryeterroristin Radojçiç, atij madje, i lejon të shetit, me djalin e Vuçiçit nëpër fushatat zgjedhore. Ndërkohë, ish bashkëpunëtori i Milosheviçit, njëri ndër eksponentët e luftës pushtuese të Serbisë në Kosovë, zëvendëskryeministri Ivica Daçiç sërish e kërcënoi Kosovën. Ai, gjatë një tubimi zgjedhor në Serbi tha se :”Herët a vonë, flamuri serb do të valvitet mbi Prizren”! Daçiçiçit, i cili kërcënon me flamurin e përgjakur çetnik, ia rikutjojmë se, vazhdon të ngel peng i mitomanisë serbe, i shqiptarofobisë, ideologjisë serbomadhe, ekspansioniste, të urrejtjës ndaj shqiptarëve si rac, si komb. Daçiçi milosheviçian, pra, vazhdon të ngel besnik traditës së shovinizmit serb, të ideologjisë serbe për pushtimin e tokave shqiptare, pikërisht në frymën e 24 Prgrameve, Elaborateve të qeverive serbe për zhdukjen e shiptarëve, duke filluar nga “Naçertania” e Ilija Garashaninit ( 1844 ), nga “ Gorski Vijenac” i Petar Petroviç Njegoshit (1846), i “ Srbi svi i svuda” i Vuka Karaxhiqit ( 1849), i Projekteve të Jovan Cvijiçit (më 1912 e më 1921), të Elaboratave të Vasa Çubrilloviçit më 1937 e më 1944, të Elaboratit, të Ivo Andriçit, “ Elaborat o Albaniji” ( 1939), të Stevan Moleviçit “Homogena Srbija” ( 1941 ), të Programit të çetnikëve të Drazha Mihajloviçit ( 1941) e deri te Plani “Patkoi” (1999) të Qeverisë së Serbisë për dëbimin, gjenocidin dhe zhdukjen e të gjithë shqiptarëve nga Kosova.

Miti i serbizimit të Kosovës

Daçiçi, ky nxënës besnik i këtyre Elaborateve dhe Programeve antishqiptare, e di mirë se Vasa Çubrilloviçi në Elaboratin e tij, “Dëbimi, përzënia e shqiptarëve”, para Evropës së vjetër, bënte thirrje raciste, thirrje për gjenocidin e shtetit serb ndaj shqiptarëve duke konstatuar se: “ Ne serbët nuk kemi armiq më të mëdhenj se shqiptarët…nëse duam që bota të na dojë, duhet të bëjmë që, bota t’i urrej ata… Që shqiptarët ta braktisin vendin e tyre, duhet me çdo kusht dhe me çdo mënyrë, t’ua nxijmë jetën… t’ua shkatërrojmë emrat, t’ua njollosim emblemat dhe t’ua fshijmë simbolet e lashta ilire,…tua rrëmbejmë gjithçka që kanë të lashtë ilire e ta përvetësojmë ne”! ( Shih: Vaso Çubrilloviç, Isterivanje Arnauta ). Jovan Cvijiçi, kërkonte që të pushtohej edhe Veriu i Shqipërisë:”…Serbia… duhet të sigurojë qasje në detin Adriatik dhe në një pjesë të brigjeve shqiptare “! Kurse, dr. Vladan Gjorgjeviçi ( 1844 – 1930), kryetar i atëhershëm i Qeverisë së Serbisë, pasi i kishte propozuar Evropës që shqiptarët t’i ndajë në mes të Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë, na përshkruante “… si racë e cila fare nuk ka histori…të cilë flejnë nëpër drunj në të cilët janë të lidhur me bishta”! ( Shih: Ivo Banac, The national questionin Yugoslavia – origins, history, politics / http: // books. Google. Com/ books). Gjatë viteve 1877 dhe 1878, sipas Ligjit të dates 2 shkurt 1865, i cili parashihte dëbimin me gjenocid të shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit, që i takonte Viljetit të Kosovës, ushtria serbe dëboi mbi 16.327 shqiptarë nga 87 fshatra të banuara me popullat autoktone shqiptare. Punonjësi i shkollë serbe në Leskovc, duke dëshmuar për masakrat serbe shkruante se, që nga :” … Gryka e Gerdelices dhe larg deri në Vranjë e Kumanovë, ju mund të shihni kufoma të fëmijëve, si dhe pleq të ngrirë deri në vdekje”! Edhe në letrën e gjeneralit serb, Luba Mobakoviç, datë, 12 shtator 1941, dërguar udhëheqësit çetnik, Kosta Peçancit paralajmërohej se: “… Besoj se, në Sanxhak, në Dukagjin dhe në Fushë të Kosovës, nuk do të mbetet asnjë plis për fare. Lumenjtë, Sitnica dhe Llapi do të bartin dy muaj koka shqiptarësh”! Ivo Andiçin ndërsa, në Elaboratin e tij, datë 30 janar 1939, duke e udhëzuar Kryeministrin, Stojadinoviç, ndër të tjera kërkonte që : “ Me ndarjen, copëtimin e Shqipërisë, do të zhdukej qendra e përshtatshme, tërheqëse për pakicën shqiptare / arbanase/ në Kosovë, e cila, në situatën më të re, më lehtë do të asimilohej”! Gazeta serbe, “Politika” me datë 23 gusht 1923, në artikullin me titull, “ Kolonizimi” shkruante se: “ … interesi ynë nacional është serbizimi dhe sllavizimi i Kosovës dhe i Luginës së Vardarit”!

Gjithsesi, Daçiçi dhe qeveritarët, e pushtetarët serbë, vazhdojnë t’i idelizojnë mitet serbe, veçmas mitin e rrejshëm serb për Kosovën. Vazhdojnë të frymëzohen edhe me gënjeshtrat e akademikut, Isidora Sekuliç i cili shkruante se: “ Serbia nuk është shtet, ajo është Kosova; e Kosova është varr, varri në të cilin është varrosur gjithçka, dhe ringjallja mund të dalë vetëm nga varri, sepse nuk ka ringjallje pa vdekje”! (“Zëri”, 26.06. 2008). Pikërisht nga miti serb për territorin, politikat shtetërore serbomëdha, e ngritën mitin serb sikur gjoja, territori i Kosovës është “ djepi i serbizmit”! Por, Noel Malcom argumenton se,: “ Kosova nuk ka qenë brenda territorit serb të Rashkës, i cili ka qenë më larg në veriperëndim të saj: ekspanzioni serb në Kosovë fillon seriozisht vetëm në fund të shekullit XII”! ( Branimir Anzulloviç, Serbia Hyjnore – Nga miti te gjenocidi, Prishtinë / Tiranë “Koha” & Shtëpia e Librit, 2001, f. 11. ).

E këtillë, pra, ishte Serbia e Daçiçit me masakrat, gjencidin ndaj shqiptarëve, dhe, edhe sot, është po e njëjta Serbi fashiste, shtet me projekte, elaborate pushtuese, në raport me shqiptarët, me Kosovën, Shqipërinë! Prore, politikë hegjemoniste, doktrinë, ideologji e luftës, e ngritur mbi elaboratet gjakatare të qeverive serbe. Pjesë e atyre projekteve, për masakra, gjenocid ndaj popullit të Kosovës ishte edhe politika shtetërore e Serbisë milosheviçiane, protagonist i të cilës politikë vrastare ishte edhe vetë Ivica Daçiçi. Dhe, sot, me po të njëjtin flamur të përgjakur, çetnik serb, ai, zëvendëskryeministër serb po kërcënon me ripushtimin e Kosovës, dhe jo vetëm të Prizrenit! Serbia, me fuqinë e aparatit të saj shtetëror, para heshtjes, oportunizmit të Evropës së Re, po e rrënon, fundos çdo shpresë për fqinjësi paqësore mes Republikës së Kosovës dhe shtetit serb! Ne ndërsa, Kosova, populli ynë liridashës, jemi të vendosur, me çdo kusht, ta mbrojmë lirinë tonë, shtetin, integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar të…