14 mijë shqiptarëve iu refuzua hyrja në BE

28 janar 2026 | 08:42

Emigrimi i shqiptarëve është një fenomen mjaft i përhapur për popullatën tonë, e jo vetëm, pasi numra të konsiderueshëm regjistrohen për të gjithë kontinentin evropian.

Në një raport të publikuar këtë të martë, 27 janar, nga Eurostat-i, “Emigrimi dhe azili në Evropë”, shkruhet se pothuajse 10% e njerëzve që jetonin në vendet e Bashkimit Evropian në 2024-ën nuk ishin shtetas të atij vendi. Kështu, rreth 3% ishin shtetas të një vendi tjetër të BE-së, ndërsa mbi 6% ishin emigrantë të një shteti jo anëtar të unionit evropian.

Në vitin 2024, 78 mijë e 100 punëtorë, emigrantë këta nga vendet që nuk janë anëtare të unionit evropian, që ishin me kualifikim të lartë morën Kartën Blu të BE-së.

Gjermania lëshoi ​​numrin më të madh të Kartave Blu, 56 mijë e 300 të tilla (72% e të gjitha Kartave Blu), e ndjekur nga Polonia me 5 mijë 900 të tilla (7%), Hungaria  me 2 mijë e 900 (4%) dhe Franca me 2 mijë e 800 karta (4%).

Emigrimi në vitin 2023

Në këtë vit, u regjistrua emigrimi i 4.4 milionë të huajve në BE nga vendet që nuk janë anëtare të unionit evropian.

Përqindjet më të mëdha u vunë re në Çeki dhe Lituani (të dyja 89% të të gjithë emigrantëve të saj), Irlandë (87%), Slloveni dhe Itali (të dyja 85%).

Sipas raportit, vendet me trend më të lartë të destinacionit për emigrantët nga shtet që nuk janë pjesë e BE-së, ishin Spanja me rreth 1 milion njerëz (24%), Gjermania me 925 mijë (21%_, Italia me 372 mijë (9%), Franca me 308 mijë (7%), si dhe Polonia me 206 mijë (5%).

Njerëzit që emigruan në këto 5 shtete anëtarë të unionit, përfaqësonin 65% të të gjithë emigrantëve që hynë në BE nga vendet jo-anëtare të në vitin 2023.

Por ka pasur dhe nga ata të cilët kanë emigruar nga shteti i tyre, që është anëtar i BE-së, drejt një vendi që nuk është pjesë e unionit evropian, duke shënuar. Të tillë regjistrohen rreth 1.5 milion njerëz, një rritje kjo prej 25% krahasuar me vitin 2022.

Nuk kanë munguar as qytetarët e një shteti anëtar të BE-së, që kanë emigruar në një vend tjetër të unionit. Këta emigrantë shënuan rreth 1.5 milion.

Gjermania ishte vendi me numrin më të madh të emigrantëve nga shtetet anëtare të BE-së (334 mijë ose 22% e të gjithë emigrantëve nga vendet e tjera të BE-së), e ndjekur nga Spanja (209 mijë ose 14%), Rumania (127 mijë ose 8%), Holanda (113 mijë ose 7%) dhe Franca (110 mijë ose 7%).

Mosha e emigrantëve

Më 1 janar 2024, njerëzit që nuk ishin shtetas të BE-së ishin më të rinj se popullsia vendase në BE.

Shpërndarja sipas grupmoshës tregon se krahasuar me vendasit, popullsia e ardhur ka një përqindje më të madhe të të rriturve relativisht të rinj në moshë pune, pra të moshës 20 deri në 49 vjeç.

Burrat e moshës 20 deri në 49 vjeç përbënin 29% të popullsisë jo-kombëtare, në vendet e unionit evropian.

Gratë e moshës 20 deri në 49 vjeç përbënin 27% të popullsisë jo-kombëtare në shtetet e BE-së.

Nga ana tjetër, emigrantët mbi 50 vjeç përbënin përqindje më të vogël sesa vendasit.

Kështu, burrat mbi 50 vjeç përbënin 12%, ndërsa gratë 13%.

Emigrimi i parregullt

Për këtë, raporti i Eurostat paraqet të dhëna për vitin 2024. Kështu, 124 mijë persona nga vende që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, u është refuzuar hyrja.

Nga këta, 57% u ndaluan në kufijtë tokësorë, 40% në kufijtë ajrorë dhe 3% në ato detare.

Arsyet kryesore për refuzimin e hyrjes në BE ishin për shkak të mos justifikimit të qëllimi dhe kushtet e qëndrimit (24%), ose se nuk kishin vizë apo leje qëndrimi të vlefshme (19% e të gjitha refuzimeve).

Në vitin 2024, Polonia raportoi numrin më të madh të refuzimeve, 21 mijë ose 17% e totalit të BE-së.

Ukrainasit përbënin numrin më të madh të njerëzve të cilëve iu refuzua hyrja në BE në vitin 2024, me një numër prej 20 mijë personash.

Në vend të dytë renditet Shqipëria, me 14 mijë qytetarët të refuzuar.

Në vend të tretë Moldavia, me 12 mijë persona.

Por, përveçse refuzimit për të hyrë në një shtet të BE-së, ka pasur dhe nga ara të cilët përmes një urdhri janë kthyer në vendet e origjinës.

Kështu, grupet më të mëdha të njerëzve që u kthyen ishin gjeorgjianët me 11 mijë e 600, ndërsa vendin e dytë e mbajnë turqit e shqiptarët me 7 mijë e 900 secili.

Dëshira e shqiptarëve për emigrim

Edhe pse Eurostat nuk ka publikuar vlera të emigrimit për vitin 2025, sipas Barometrit Ballkanik, Shqipëria paraqitet si vendi me nivelin më të lartë të dëshirës për t’u larguar.

Të paktën 44% e të anketuarve kanë deklaruar se dëshirojnë të largohen nga Shqipëria e të punojnë jashtë vendit.

Kështu, vendi ynë kryeson për nga renditja në rajon, pasi shtetet e tjera kanë nivele më të ulëta të dëshirës për emigrim: Kosova (35%), Bosnje Hercegovinë (34%).

Shqipëria dallon nga rajoni, jo vetëm për intensitetin e prirjes drejt emigrimit, por edhe për natyrën e thellë dhe afatgjatë të fenomenit.

Të paktën 18% e shqiptarëve vlerësojnë si zgjidhje përfundimtare largimin përgjithnjë nga Shqipëria.

Kjo dëshirë vlerësohet se vjen për shkak të faktorëve ekonomikë dhe ato sociale.

Diferencat e mëdha në paga dhe standard jetese me vendet e Bashkimit Europian mbeten një shtysë e fortë, veçanërisht për të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar. Këto diferenca kombinohen me mundësitë e kufizuara brenda vendit për punë të mira dhe zhvillim profesional, duke krijuar bindjen se zhvillimi personal dhe ekonomik është më i arritshëm jashtë vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqiptarët po martohen gjithnjë e më pak dhe po ndahen…